Ndjenja e vetmisë pjesërisht vjen edhe për shkak të gjeneve

Life style

Ndjenja e vetmisë pjesërisht vjen edhe për shkak të gjeneve

Më: 14 mars 2017 Në ora: 16:44
Ilustrim

Studimi i ri sugjeron se nuk është vetëm gjendja sociale në të cilën ndodheni, por edhe gjenet me të cilat keni lindur janë ato që ndikojnë në gjasat tuaja që të ndiheni të vetmuar.

Derisa faktorët e mjedisit definitivisht e luajnë një rol më të madh, një studim i ri në më shumë se 10.000 njerëz ka treguar se vetmia mund të jetë pjesërisht edhe e trashëguar.

Meqë vetmia është shkaktare e llojeve të ndryshme të problemeve shëndetësore fizike dhe mendore, dhe është një faktor i konsiderueshëm në vdekjen e hershme, shkencëtarët janë të vendosur të kuptojnë më shumë rreth asaj se nga ku vjen ajo ashtu që të mund të bëhemi më të mirë në parandalimin e saj.

Veçanërisht, ekipi ishte i interesuar që të kuptojë nëse mund të ekzistojë ndonjë faktor rreziku gjenetik për vetminë.

"Ne duam të dimë se pse, thënë gjenetikisht, një person ka më shumë gjasa se një tjetër që të ndihet i vetmuar, madje edhe në të njëjtën situatë", tha studiuesi kryesor, psikiatri Abraham Palmer, nga Universiteti i Kalifornisë, San Diego.

"Për dy njerëz me të njëjtin numër të miqve të ngushtë dhe familjes, njëri mund ta shohë strukturën e tij sociale si adekuate, ndërsa tjetri jo," shtoi ai. "Dhe me këtë e nënkuptojmë 'predispozicionin gjenetik të vetmisë'."

Hulumtuesit gërmuan nëpër një studim të gjatë shëndetësor në SHBA në 10,760 njerëz të moshës 50 dhe më të vjetër në përpjekje të identifikimit të lidhjeve mes gjenetikës dhe vetmisë.

Bazuar në këto të dhëna, ata vlerësuan se 14 deri në 27 për qind e rrezikut të vetmisë gjatë jetës mund të jetë gjenetike, gjë që në fakt është më e ulët se vlerësimet e mëparshme të bazuara në madhësitë më të vogla të mostrës, por ende jo një sasi e papërfillshme.

Vetë vetmia nuk është përmendur në fakt në anketë, sepse njerëzit shpesh hezitojnë ta pranojnë atë.

Në vend të kësaj, pjesëmarrësit u pyetën se sa shpesh ata mendonin se u mungonte shoqëria, sa shpesh ata ndiheshin të lënë jashtë, dhe sa shpesh ata ndiheshin të izoluar nga të tjerët. Rezultatet u balancuan nga pikëpamja e moshës, gjinisë dhe statusit martesor (meqë njerëzit e martuar në përgjithësi ndjehen më pak të vetmuar se beqarët).

Ekipi gjithashtu i krahasoi ADN-të e pjesëmarrësve për të kërkuar modele në mes të ndjenjave të vetmisë dhe fushave të caktuara gjenetike.

Ky ishte studimi i parë i lidhjes së gjenomit me vetminë, dhe derisa studiuesit nuk ishin në kërkim të varianteve të veçanta të gjeneve të lidhura me vetminë – ky është qëllimi i tyre i ardhshëm, thonë ata - ata kanë gjetur prova se një rrezik gjenetik për vetminë ishte i lidhur me neuroticizmin dhe simptomat depresive.

Palmer dhe ekipi i tij tani kanë dalë me një hipotezë të hershme se vetmia mund të jetë një sistem biologjik paralajmërimi: një alarm i cili aktivizohet në trupin tonë kur nuk jemi duke e pasur interaksionin shoqëror për të cilin mund të kemi nevojë ose mund ta dëshirojmë.

Atëherë, pse studimet e mëparshme e gjejnë një lidhje të lartë gjenetike me vetminë? Kjo mund të jetë për shkak të asaj që quhet metoda kategorizuese e trashëgimisë - një teknikë e përdorur nga ekipi origjinal, ku variacionet e përbashkëta gjenetike shqyrtohen në vend të variacioneve të rralla.

Fakti që ata u fokusuan tek njerëzit që jetojnë ekskluzivisht në SHBA mund të ketë gjithashtu një efekt, sipas studiuesve të këtij studimi më të ri.

Derisa duhet bërë më shumë punë, hulumtimi i bashkohet një grumbulli në rritje të provave të cilat sugjerojnë se disa prej nesh mund të jenë të lindur me tendencën që të ndihemi më të vetmuar se të tjerët. Rezultatet janë publikuar në Neuropsychopharmacology.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat