Përdorni mençurinë në lidhjen tuaj

Life style

Përdorni mençurinë në lidhjen tuaj

Më: 25 prill 2017 Në ora: 16:24
Ilustrim

Kur je individ, e jeton jetën si të duash. Je i lirë në ato që lejojnë kufijtë brenda kufijve. Por, vjen një ditë që jeta jote ndryshon e ti nuk i përket më asaj. Kjo jo për fajin tënd, por të raportit që do krijosh me personin me të cilin do të ndash jetën.

Shpesh të vjetrit thonë se është çështje fati kur një marrëdhënie është e bukur, por më shumë se fat, është ajo se: çfarë ne jemi, çfarë duam në jetë, sa e ruajmë identitetin tonë, sa të vërtetë jemi në ato që themi dhe bëjmë. Bazuar në këto pyetje, për t’iu dhënë sadopak përgjigje, besoj se një marrëdhënie të tillë nuk mundesh ta kesh nëse atë e nis me një gënjeshtër, pa patur respekt për partnerin tënd, pa një komunikim të ngrohtë e miqësor, madje edhe kritik kur duhet.

Baza e një marrëdhënieje të bukur dhe të suksesshme është ajo që buron nga dashuria, respekti e sinqeriteti. Nuk përjashtohen problemet e disnivelit në çift, të cilat janë barriera komunikimi ashtu si dhe papajtueshmëri të tjera që i sjellin traditat dhe mentalitetet si në ato fetare dhe tradicionale, ku ndërhyrjet në çift nuk mungojnë nga persona të familjes.

Pra, kulturat e ndryshme përbëjnë një çarje dhe mosmarrëveshje. Por, nëse çifti di të menaxhojë mirë situatat, të jenë në barazi mes tyre, ku të mos ekzistojë posesiviteti, por të ketë një  ndjenjë të sinqertë dhe barazi vlerash, gjithçka do të shkojë për së mbari. Në të kundërt, këta elementë derivojnë në situata me ngarkesë, pengojnë dhe e çojnë deri aty çiftin sa kryejnë hapin e divorcit. Pra, përdorni mençurinë në një lidhje që ajo të funksionojë siç duhet.

Xhelozia, triumfi i së keqes!

Një problem i madh mbetet xhelozia nga ana e njërit prej partnerëve. Mosbesimi e bën atë inferior, duke ia sëmurur edhe më shumë këtë tipar të dëmshëm në një lidhje. Pra, në këndvështrimin tim, besoj se çelësi i suksesit në një marrëdhënie është komunikimi i mirë, por mbi të gjitha, sinqeriteti i partnerëve me njëri-tjetrin, ku të dy së bashku duhet të bëjnë përpjekje për ta rritur dhe ushqyer dashurinë dhe lidhjen, jo duke fajësuar njëri-tjetrin, por duke korrigjuar e pranuar secili gabimet e tij. Ashtu sikurse je në një varkë, e cila do patjetër që të dy t’i lëvizin krahët, duke mos e anuar varkën në njërën anë që ajo të përmbyset.

Ka shumë modele të mira për t’u marrë shembull, ashtu si dhe rastet ku dominon posesiviteti apo dhuna, jo vetëm psikike por edhe fizike. Rastet shënojnë deri në marrjen e jetës së gruas. Ky është një fenomen në rritje, i cili po merr jetën e femrave çdo ditë, diku për motive të dobëta, diku për xhelozi e deri për ndëshkim. Kur flasim për një marrëdhënie të bukur në çift, menjëherë duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me dy individë, të cilët i ka bashkuar një lidhje dashurie e pastër, kanë mjaft të përbashkëta ashtu sikur themi shpirti binjak. Një marrëdhënie e tillë nuk mund të qëndrojë mbi gënjeshtrat, por mbi të vërtetat. Gjithçka fillon aty! Tek sinqeriteti dhe besimi, respekti dhe dashuria për partnerin, vlerësimi dhe përkujdesja. Gjithçka është e bukur nëse e nis bukur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat