Të ndash xhelozinë me fëmijët

Life style

Të ndash xhelozinë me fëmijët

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 12:27
Foto ilustrim

Ndjenja e xhelozisë për motrat apo vëllezërit më të vegjël, por edhe për më të mëdhenjtë është e pranishme në çdo familje dhe kërkon shumë vëmendje, përkujdesje dhe durim nga ana e prindërve për shmangien e saj.

Gjatë vitit të dytë dhe të tretë të jetës, fëmija fillon të tregojë më shumë interes për lojërat dhe fëmijët e tjerë. Fillon t’i vëzhgojë ata dhe vë re se i pëlqejnë lojërat me moshatarët e tij, të cilët, natyrisht arrin t’i kuptojë më mirë. Për fëmijët e kësaj moshe sugjerohet të luajnë në një kënd lojërash ose lulishte në të cilat luajnë edhe fëmijë të tjerë me lodrat e tyre personale.

Brenda pak minutash do të vini re se fëmijët kanë filluar ta pranojnë njëri-tjetrin, luajnë së bashku duke i ndarë lodrat e tyre dhe duke mësuar nga njëri-tjetri. Përshtatja e fëmijës që në moshë të vogël me njerëz të rinj dhe ndarja e lodrave dhe sendeve të tjera me shokët, e parapërgatit atë për marrëdhënien që do të krijojë me motrën ose vëllanë më të vogël.

është e vështirë ta kuptosh gjatë ditëve të para të lindjes së fëmijës së dytë nëse fëmija i parë vërtet gëzohet për lindjen e tij apo hidhërohet. Është vënë re se fëmijët tregojnë xhelozi kundrejt të porsalindurit që në ditët e para të lindjes.

Shfaqja e xhelozisë varet nga tipi i fëmijës dhe ndryshon nga një fëmijë te një tjetër, pasi secili ka personalitetin e tij të veçantë. Përgjithësisht, ata e konsiderojnë atë si një kukull me të cilën mund të luajnë dhe të bëjnë çfarë të duan.

Në subkoshiencën e tyre, ata mundohen të tregojnë se edhe ata vetë e duan beben si nëna dhe babai, por në çastet kur askush nuk është i pranishëm pranë bebes ose pjesëtarët e tjerë janë të përqendruar diku tjetër, kanë reagime jo pozitive të tilla si: bëjnë sikur e puthin, por e godasin të porsalindurin.

Cilat janë disa nga arsyet e xhelozisë së fëmijëve më të mëdhenjë

• Ndjenja e të lënit pas dore nga ana e prindërve. Ata mendojnë se vendin e tij tashmë e ka zënë dikush tjetër.

• Diferenca prej 3-6 vjetësh që fëmijët mund të kenë ndërmjet tyre, si dhe mosha në të cilën është fëmija i parë, e bën të vështirë perceptimin nga ana e tij të faktit se dashuria e prindërve ndaj tij vazhdon të jetë e njëjtë, por fëmija i porsalindur ka më shumë nevojë për përkushtimin e tyre.

• Fëmija i sapolindur mbetet për një kohë të gjatë në qendër të vëmendjes së familjes, por edhe të farefisit dhe shoqërisë. Vizitat dhe dhuratat e shumta nga të njohurit e familjes, posaçërisht për lindjen e fëmijës, dhe dhuratat e bukura vetëm për të, ia zhvillojnë më tepër ndjenjën e xhelozisë fëmijës.

Shenjat e xhelozisë te fëmijët

Xhelozia është diçka e natyrshme, e cila shfaqet tek të gjithë fëmijët në mënyra te ndryshme, si:

• Në mungesë të vëmendjes së më të rriturve mbi fëmijën e porsalindur, fëmija “i lënduar” e godet atë me qëllim, por hiqet sikur e bëri pa dashje.
• Urinimi me dëshirë në shtrat.
• Dëshira për të urinuar shpesh.
• Përplasja e këmbëve për dëshirat e tij të parealizuara.
• Kërkimi prej nënës së tij që ta mbajë në krahë apo t’i japë të hajë me dorën e saj, megjithëse mund të ushqehet vetë.
• Dëshira për t’iu kthyer përsëri biberonit.
• Imitimi i gjuhës së më të vegjëlve.
• Thithja e gishtit të madh.
• Refuzimi i ushqimeve të pëlqyera prej tij më parë.

Këshilla për shmangien e sjelljeve të sipërpërmendura

Këshillohet që prindërit të tregohen të kujdesshëm në evidentimin dhe shmangien e këtyre sjelljeve.

• Para se fëmija i dytë të vijë në jetë, prindërit t’i shpjegojnë fëmijës së parë, në një gjuhë të thjeshtë, që ai mund ta kuptojë, ndryshimet që do të ndodhin në familje, për shembull: t’i shpjegojnë atij se në shtëpinë e tyre do të vijnë shumë vizitorë për të vizituar nënën e sëmurë dhe të mos i thuhet se po vijnë vizitorë për të parë beben e sapolindur.

• T’i tregohet fëmijës në lidhje me kujdesin e madh që ka pasur nëna gjatë foshnjërisë së tij dhe njëkohësisht t’i shpjegohet që po aq përkujdesje dhe përkushtim i duhet edhe vëllait ose motrës së vogël.

• Nëse fëmija është shumë i lidhur me nënën, gjatë kohës së shtatzanisë së dytë, pjesëtarë të tjerë të familjes si babai, gjyshi ose gjyshja të mundohen të përkushtohen më shumë pas fëmijës, në mënyrë që të largohet sadopak nga nëna. Nëse kjo largësi nga nëna do të ndodhë gjatë kohës që fëmija i dytë ka lindur, te fëmija më i madh do të zhvillohet ndjenja e xhelozisë për nënën.

• Prindërit të përpiqen ta minimizojë qortimin apo dënimin e fëmijës së madh në rastet kur ai ka dëmtuar fëmijën e vogël ose bën zhurmë për ta ngritur atë nga gjumi.

• është e rëndësishme që të stimulohet te fëmija i madh ndjesia e “partnerit” për fëmijën pasardhës, përkundër asaj të “rivalit”.

• Nëse nuk e pranojmë kërkesën e tij për t’u ushqyer e larë, atëherë kur ai dëshiron dhe ashtu siç dëshiron ai, e lëmë atë të mendojë se po e mohojmë, se prindërit e lënë pas dore dhe kështu ndenja e xhelozisë rritet më shumë tek ai. Nëse ia mundësojmë realizimin e kërkesave (jo të atyre kërkesave të cilat janë të dëmshme për formimin e karakterit të fëmijës), atëherë ka shumë mundësi që xhelozia të fillojë të zbutet dhe sjellja e fëmijës të kthehet në normalitet si më parë. Kjo ndodh sepse ai fillon ta ndiejë vetë se nuk është aspak e përshtatshme për të veshja me pelena apo pirja me biberon.

Nëse i japim mundësi fëmijës të ndihmojë në banjën e bebit, në veshjen e tij, në “gënjimin” e të voglit për ta ushqyer e në shumë veprime të tjera të ngjashme me këto, ai bindet se jo vetëm nuk është lënë pas dore, por për të tashmë ka detyrime edhe më të mëdha, edhe më të veçanta se sa për të voglin. Ai arrin ta kuptojë më qartë se tani ka shumë vlera në familje.

Thëniet e nënës në moment kur fëmija i madh nuk ka qenë i pranishëm gjatë banjos ose ushqimit të të voglit, se e ka shumë të vështirë ta ushqejë ose ta lajë pa ndihmën e tij, i japin shumë kurajo fëmijës. Nga ana tjetër, këto pohime janë të leverdishme edhe për nënën, e cila lehtësohet për një periudhë kohe nga detyra tepër e rëndësishme, por dhe e lodhshme për t’u marrë me të dy fëmijët njëkohësisht. Një veprim i tillë, për më tepër, ndihmon në harmoninë familjare.

Me rritjen e fëmijëve, sjellja e motrave apo e vëllezërve ndaj njëri-tjetrit bëhet më e ndërlikuar nëse xhelozirat e vogla të vegjëlisë nuk kurohen në kohën dhe në mënyrën e duhur. Në uljen apo rritjen e ndjenjës së xhelozisë rolin kryesor e kanë prindërit. Të mos i jepen kurrë përparësi të dukshme fëmijës më të vogël ndaj më të madhit. Të krijojmë marrëdhënie të barabarta midis të dy fëmijëve, jo duke i vlerësuar këto marrëdhënie me syrin tone, por duke i parë me syrin e fëmijës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat