Hajde luajmë jashtë!

Life style

Hajde luajmë jashtë!

Më: 6 maj 2018 Në ora: 18:00
Ilustrim

Me ardhjen e stinës së bukur rritet edhe dëshira për të luajtur jashtë. Nxitini fëmijët që të dalin pas shkolle ose gjatë fundjavës në parqe e lulishte. Aty ku mund të heqin plogështinë e ditëve gri të dimrit.

Ditëve të ngrohta, fëmijët shfaqin dëshirën për të kaluar disa orë në parkun e lojërave, me shokët e klasës ose me vëllezërit apo motrat për të luajtur në ajër të pastër. Dhe nga ana tjetër, qielli i kaltër dhe ngrohtësia e diellit nuk duket se zgjojnë dëshirën për të qëndruar brenda në shtëpi, për të vizatuar apo për të parë televizor.

Kështu që nuk është ide e keqe, pasi, pas shumë orësh të përqendruar në mësimin që shpjegohet në klasë, fëmijët të çlodhen dhe të qetësohen para se t’iu rikthehen sërish të nesërmen librave të shkollës. Për më tepër, më mirë një vrap i shëndetshëm në park sesa një qëndrim i padobishëm para televizorit.

Pra, është e këshillueshme që ju të plotësoni kërkesat e tyre ose t’i nxisni të dalin pasdite, pasi të kenë bërë detyrat, të paktën për një orë.

Zgjidhni një park të përshtatshëm për ta, të mirëmbajtur dhe të pastër. Zgjidhni parqe të pajisura me rrëshqitëse dhe një pistë ku fëmijët mund të ecin të sigurt me patina ose me biçikletë. Një ditë mund të merrni me vete një top, ditën tjetër litar, raketë tenisi… Pra, me pak fjalë, ka lojëra për të gjitha shijet dhe dëshirat e fëmijëve, mjafton që mos të dembeloseni.

Fatkeqësisht, jo të gjitha lagjet kanë parqe të përshtatshme për fëmijët. Shumë prej tyre janë të ndotur dhe nuk janë të sigurt, pasi nuk janë të rrethuar dhe ky problem shumëfishohet sidomos në qytetet e mëdha, ku ka shumë pak zona të gjelbëruara ose nuk janë të mirëmbajtura.

Të veshur mirë, me tuta, atlete dhe një bluzë, që do t’ju duhet kur të jenë djersitur, fëmijët do të kenë mundësi për të larguar të gjithë stresin e mbledhur gjatë ditëve të shkollës apo gjatë ditëve gri të dimrit. Lërini të vrapojnë, të bërtasin, të hidhen … mos i kërkoni të rrinë urtë dhe të disiplinohen: fëmijët kanë nevojë fiziologjike për të lëvizur dhe për t’u hedhur sa andej-këndej.

Pa i humbur asnjëherë nga sytë, lërini që të argëtohen ashtu siç u pëlqen atyre më shumë, që kur të kthehen në shtëpi të jenë të lodhur, por të gëzuar.

Nëse keni dëshirë, mund të organizoni në park turne të vërteta me grupe, me fëmijët e tjerë që shkojnë aty ose me miqtë e vegjël të djalit/vajzës apo nipit/mbesës tuaj: gara me shami, vrap me pengesa etj.

Në këtë mënyrë, jo vetëm do t’i jepni mundësinë fëmijëve tuaj të heqin plogështinë e dimrit, por ata do të njihen edhe me një mënyrë të re për të jetuar në lagjen dhe qytetin e tyre. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat