Fantazitë kundrejt realitetit

Life style

Fantazitë kundrejt realitetit

Më: 16 maj 2018 Në ora: 21:10
Ilustrim

Që ta kemi të qartë se çfarë duam dhe çfarë na duhet në një lidhje, duhet të kontrollojmë pritshmëritë tona. Që të zbulosh cilat janë, bëj një listë me të gjitha gjërat që pret nga një partner apo lidhje, duke përfshirë gjithçka që ke dashur apo ëndërruar ndonjëherë.

Ndërsa bën listën, mendo çfarë ke mësuar nga lidhje të mëparshme dhe çfarë kishte apo çnuk kishte secila prej tyre. Gjithashtu, mendo për lidhjen e prindërve të tu dhe çfarë pëlqeje apo nuk pëlqeje tek ajo, që mund të ketë ndikuar te pritshmëritë e tua ndaj partnerit, shkruan Christine Hassler, shkrimtare dhe këshilluese në Huffington Post.

Pastaj, duke parë në listën tënde të pritshmërive/dëshirave, veço ato që janë realiste nga ato që janë fantazi. Për këtë, duhet të përkushtohesh se do jesh më shumë e arsyeshme se romantike. Për shembull, një fantazi do të ishte që një burrë të dijë gjithnjë çfarë të thotë, sepse i kupton plotësisht nevojat e tua.

Një pritshmëri realiste është që partneri të jetë i hapur dhe të të bëjë pyetje kur nuk të kupton. Po ashtu, gjithçka që lidhet me kohën, si për shembull: “Pres të martohem para të tridhjetave”, i përket listës së fantazive, pasi kohën nuk e kemi absolutisht nën kontroll. Tani bëj dy kolona: “Fantazi” dhe “Realitet”. Shkruaj çdo gjë në kategorinë përkatëse.

Nëse e ke të vështirë të dallosh pritshmëritë realiste, diskutoje me disa nga shokët (zgjidh ata që janë mjaft të përgjegjshëm) nëse mendojnë që pritshmëritë e tua janë realiste. Sa më shumë të jetojmë me këmbë në tokë (duke bërë sa më rrallë vizita në vendin e fantazive), aq më të forta do të ndihemi, beqare apo të lidhura qofshim.

A është e shëndetshme ajo që do?

Nëse nga njëra anë e spektrit është pritja për Princin e Kaltër, në anën tjetër rrezikojmë të ngatërrohemi me individë që nuk janë për të mirën tonë. Fatkeqësisht, ajo që duam nuk është gjithnjë e mirë për ne.

Të gjitha kemi takuar një “djalë të keq” tërheqës, por të paarritshëm ose një artist pa asnjë qindarkë në xhep, poezitë e të cilit na dalldisin zemrën, ose një bukurosh në palestër, një mjek, me të cilin mamaja na thotë se duhet të shoqërohemi, por që është arrogant i madh ose dikë në zyrë me të cilin kemi flirtuar, por që ishte i martuar.

Thellë brenda nesh e dimë se tërheqja nga disa tipa është ose sipërfaqësore, ose e pashëndetshme, megjithatë, shpesh, ndihemi aq të tunduara, sa nuk dimë të ndalemi.

Të identifikojmë meshkujt me “shenjë të kuqe”

Më poshtë keni një listë që do të të ndihmojë për të identifikuar “meshkujt me shenjë të kuqe”, të cilët ka më shumë të ngjarë të mbeten eksperienca për të mësuar se partnerë për gjithë jetën:

Zotëria “nuk jam gati” ose ai që ka frikë nga angazhimet
Maskarai i fshehtë (vërtet i sjellshëm nga jashtë, por gjarpër nga brenda)
Leshkoja (mund ta shkelësh me këmbë e prapëseprapë do të bëjë ç’t’i thuash)
Ata që i kemi sa për të ndryshuar shijen ose që mbushin boshllëkun: tipa sa për të kaluar radhën e që na pëlqejnë, sepse na heqin disi mendjen
Zogu i plagosur” (që sapo i është thyer zemra dhe mendon se mund t’ia shërosh ti)
Djali vërtet i pasur, por i cekët
Ai që do të flejë me ty, por që e konsideron dashurinë fjalë të pahijshme
Më i madh në moshë (aq sa mund të ishte yt atë)
I martuari ose i sapodivorcuari
Ai që të kujton më shumë se ç’duhet babanë ose ai lloj burri që do të doje të ishte yt atë
Projekti (djali, të cilin je e bindur se mund ta përmirësosh)
Çuni i mamasë
Djali me të njëjtat probleme emocionale si të tuat (ai ka të gjitha problemet që ke edhe ti)
Tipi “ti s’ke për të qenë kurrë më e mirë se unë”
Narkomani, pijaneci ose qejfliu i festave
Ai që dërgon mesazhe dhe email-e, por që nuk të telefonon kurrë
Shoku që do më shumë se thjesht miqësi, por që ty nuk të tërheq
Shoku që ti e do, por nuk joshet nga ti
Ai që do të preferonte më mirë të të çonte ne krevat, se të të nxirrte për një darkë
Tipi që thotë gjithmonë të gjitha fjalët e duhura (kjo mund të nënkuptojë që ti s’je e vetmja që i dëgjon ato fjalë)
Ai që duket ‘i mirë teorikisht’ (që u pëlqen më shumë prindërve të tu se ty vetë)
Zotëria i papunë kronik
Ëndërrimtari (vetëm fjalë, pa vepra)
Djemtë e rritur që jetojnë ende në shtëpi me prindërit pa asnjë arsye të fortë

Tani që ia ke pranuar vetes se ç’lloj djemsh të tërheqin apo tërheq, mos harxho shumë energji me ata që je e sigurt brenda teje se nuk ia vlejnë.

Ndonëse këta tipa mund të duken tërheqës për një mijë enjë arsye, shumë rrallë, për të mos thënë kurrë, do të bëhen ata që dëshiron vërtet. Pse të mos e shpenzosh më mirë atë energji për shkollimin, shëndetin, miqësitë ose karrierën, ndërkohë që i bën vend djalit që do.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat