1 mld dollarë për të shpuar Tokën

Life style

1 mld dollarë për të shpuar Tokën

Më: 3 tetor 2012 Në ora: 11:04

Njeriu ka ecur në Hënë, ka dërguar krijesat e tij robotike në Mars dhe është gati të marrë prej andej mostra studimore…por kur vjen puna për të studiuar thellësinë e Tokës, vetëm sa kemi “gërvishtur” koracën e planetit tonë.

Kjo mund të ndryshojë me projektin më të ri të një grupi shkencëtarësh ndërkombëtarë e që do të kushtojë plot 1 miliard dollarë. Projekti synon të çajë koren oqeanike të Tokës e të arrijë në 6 kilometra thellësi duke tejkaluar kështu kufijtë, litosferën dhe astenosferën për t’u ndalur tek gjeosfera apo e quajtur ndryshe mantia, shtresa e dytë e planetit tonë.

Shkencëtarët dhe gjeologët e përfshirë në projektin në fjalë, shprehen entuziastë për të dhe pritshmëritë janë të mëdha. Ata thonë se me sjelljen në sipërfaqe të pjesëzave të mantias do të mund të studiohet e kuptohet më mirë lindja e jetës në Tokë. Madje disa prej tyre e cilësojnë misionin për nga rëndësia, të njëjtë me misionin e zbritjes së Neil Armstrong në Hënë.

Misioni është tepër i vështirë nisur dhe nga zona ku mund të vendoset të shpohet. Gjeologët kanë shënjestruar tre të tilla dhe që të trija në Oqeanin Paqësor, ku shtresa e parë e Tokës, pra korja përllogaritet diku tek 4-6 kilometra, ndërsa në kontinente kjo shtresë varion nga 50 deri në 60 kilometra trashësi.

Vështirësi paraqet edhe terreni shkëmbor që do të kërkojë kohën e vet për t’u shpuar. Edhe pse janë fjala e fundit e teknologjisë, kokat e sondës së shpimit përllogaritet të punojnë nga 50 deri në 60 orë e më pas është i domosdoshëm ndërrimi i tyre. Në kushte normale ky proces nuk do të kushtonte kohë, por të mendosh që ky ndërrim duhet kryer në një sondë që ndodhet mijëra metra në thellësi të oqeanit, sigurisht që do të kërkojë kohën e nevojshme, ndaj edhe misioni pritet të zgjasë me vite të tëra.

Një tjetër pengesë cilësohen edhe skeptikët e këtij misioni. Ata shprehin mëdyshjen e tyre nëse ia vlen vërtet shpenzimi i shumave të tilla për të siguruar një mision që sipas tyre, nuk do të sjellë asgjë të re, të paktën në fushën e mirëqënies së njerëzimit.

Ky nuk është misioni i parë për të arritur në mantel. Në fillim të viteve ’60, meteorogolu kroat, Andrija Mohoroviçiç ndërmori një të tillë në Ishullin Guadalupe në Lindje të Paqësorit. Për disa vite, misioni i kroatit mundi të shpojë disa metra nën dyshemenë e oqeanit, për të ardhur në vitin 1966 kur fondet reshtën dhe projekti u mbyll.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat