Paraburgimi i fundit për të arrestuarit në 'Monstra'

Maqedonia

Paraburgimi i fundit për të arrestuarit në 'Monstra'

Më: 2 tetor 2012 Në ora: 10:27

Dëshmitari i mbrojtur për rastin Monstra pritet të japë dëshminë e tij këtë javë, dhe një hap i tillë do të përbënte edhe nisjen zyrtare të procesit për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë. Avokati Naser Raufi thotë se rrëfimet e dëshmitarit të mbrojtur, janë e vetmja mundësi që përdoren në proces, për shkak se hetuesit deri tani nuk kanë siguruar prova të mjaftueshme, që të mundësinin ngritjen e akuzës ndaj personave të arrestuar në operacionin policor Monstra më 1 maj të këtij viti. “Për ‘Monstrën’ pritet të japë deklaratë dëshmitari i koduar, ose i rrezikuar, unë sot bisedova me gjykatësin hetues, ende nuk e di se cilën ditë do të japë dëshmitari deklaratën dhe tjerat prova që po të ketë prokuroria t’i prezantojë para avokatëve. Unë prej 12 shtatorit e kam vendimin që është caktuar dëshmitari i rrezikuar. Pasi ka mbet vetëm një muaj që të ketë aktakuzë apo jo, mendoj se brenda javës fillojnë hetimet dhe deklarata e dëshmitarit të rrezikuar. Unë mendoj se nuk do të ketë aktakuzë dhe mendoj se dëshmitari i rrezikuar është si rezultat i mungesës së provave për këtë lëndë. Jam i bindur se të akuzuarit janë të pafajshëm. Sipas gjykatësit hetues, këtë javë do të fillojë hetimi për këtë proces”, tha Naser Raufi, avokat. Ndërkohë, autoritetet vazhduan paraburgimin edhe për 30 ditë të tjera për Agim Ismailoviqin, Rami Sejdi dhe Fejzi Hazirin që ndodhen në burgun e Manastirit. E njëjta masa vlen edhe për dy të akuzuarit e tjerë në arrati Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviqi. Kjo është masa e 6-të me radhë e arrestit, dhe e fundit sipas ligjit për procedurë penale. Masa e arrestit ‘Paraburgim’ mund të zgjasë 6 muaj. Në rast të mos ngritjes së akuzës, për shkak të mungesës së fakteve, këta persona duhet të lirohen pas 180 ditëve paraburgim. Në aksionin policor ‘Monstra’ të datës 1 maj, policia arrestoi 20 persona, ndërsa vetëm 5 të arrestuar: Alil Demirit, Afrim Ismailoviqit, Agim Ismailoviq, Rami Sejdi dhe Fejzi Haziri, u dyshuan për veprën terrorizëm. Për këtë vepër ngarkohet edhe Haki Haziri, i cili gjithashtu gjendet në paraburgim që nga 8 maji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat