Kuvend, debat i ashpër për kodin zgjedhor - Bota Sot
Kuvend, debat i ashpër për kodin zgjedhor

Maqedonia

E diel, 24 korrik 2016

Kuvend, debat i ashpër për kodin zgjedhor

Më: 3 tetor 2012 Në ora: 09:27

Ka vazhduar edhe sot debati në Kuvend për ndryshimin dhe plotësimin e kodit zgjedhor. Deputeti i PDSH-së Ziadin Sela tha se ky propozim/ligj ka ardhur në Kuvend në mënyrë tinzare vetëm sa për t’i treguar komisionerit për zgjerim Fyle, gjoja se kjo Qeveri punon dhe është e interesuar për zgjedhje të lira dhe demokratike. Sela përsëriti edhe një herë qëndrimin se në Maqedoni janë rreth 300 mijë votues fiktivë.
“Nuk mund të ketë zgjedhje pa regjistrim të mirëfilltë të popullsisë, sepse pa revidim të listës së zgjedhjeve Qeveria ka në dorë rreth 300 mijë votues të cilët i përdor për nevojat e veta, qoftë për të krijuar shumicën parlamentare të sajën, qoftë për ti dhuruar fitoren të preferuarve të cilët dëshiron ti ketë në qeveri që në rastin konkret është BDI”, tha Ziadin Sela, deputet i PDSH-së.
Ndaj diskutimit të Selës reagoi bashkëqytetari i tij, deputeti i BDI-së ngas Struga Arben Llabunishti. Ai tha se për dallim nga PDSH-ja që ka pasur partner strategjik, BDI-ja për partner ka popullin.
“Këto janë vetëm spekulime dhe të pavërteta. Elektorati shqiptar është i vetëdijshëm dhe arrin t’i kuptoj lojërat që duan të bëjnë nga kjo foltore. Nëse do kthehemi në të kaluarën do të shohim që të preferuar dhe partner strategjik BDI nuk ka pasur, por ka qenë populli, ndërsa PDSH-ja në mënyrë shumë të hapur e ka thënë se partner i tyre strategjik ka qenë VMRO-ja, jo vetëm kaq por ata shkuan deri aty sa it falin vota për të bërë një deputet më shumë, shqiponja jonë krenare u lidh bashkë me luanin për të treguar strategjinë që kishit ju”, u shpreh Arben Llabunishti, deputet i BDI-së.
“Mirë do të ishte t’i përgjigjeni popullit sa anëtarë ka rritur numri i anëtarëve të BDI-së në Kavadarcë e Shtip. Populli gjithashtu ju dha votë të qeverisni e nuk ju dha votë të bëheni opozitë në parlament. A e di ku e kam fjalën, ato metoda të bllokimit të ligjit për branitella janë metoda të opozitës ju duhet të keni metoda tjera, ndërsa ti personalisht i nderuar Llabunishta je shndërruar si katapultja e Talat Xhaferit”, tha Ziadin Sela, deputet i PDSH-së.
Vërejtjet e deputetit të PDSH-së Zijadin Sela ishin edhe për mënyrën se si janë zgjedhur deputetët e diasporës. Sela dhe deputeti i RDK-së Izet Zeqiri akuzuan BDI-në për dështim, për faktin që nuk ka asnjë deputet shqiptar nga diaspora.
“Kur jemi te deputetët e diasporës, me të vërtetë është për të ardhur keq se si BDI i fali VMRO-së deputetët e diasporës. Ne sot kemi tre deputet; 1 nga Kanadaja, një nga Evropa dhe një nga Australia, ku pjesa dërmuese që veprojnë jashtë; janë më së shumti shqiptar. Kush e ka përgjegjësinë që nuk u organizua diaspora shqiptare që ne të kemi përfaqësues të tyre në Maqedoni, nuk do mend zv/kryeministri ka qenë shqiptar”, deklaroi Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.
“Do ju tregoj ku është problemi z. Sela. Për fat të keq shqiptarët e Maqedonisë në Amerikë, Evropë, Australi, nuk janë të interesuar të regjistrohen të votojnë, që është edhe më keq, në Amerikën Veriore nuk ekziston asnjë organizatë e regjistruar e shqiptarëve të Maqedonisë”, theksoi Pavlle Sazdov, deputet i VMRO DPMNE –së nga diaspora.
“Ka plot shoqata shqiptare në Amerikë, të regjistruara, është lobi shqiptaro amerikan dhe shumë lobe të tjera, mirëpo ju sigurisht nuk mund të keni qasje në ato lobe sepse ato janë të njëjtët që kanë qenë edhe në 2001, nuk kanë ndryshuar si këta këtu që janë, janë të njëjtit, prandaj ju nuk keni qasje dhe nuk guxoni të afroheni tek ato njerëz. Nuk e di ti ku merr guximin e bën replikë, ti je bërë deputet me 300 vota or zotëri”, u shpreh Ziadin Sela, deputet i PDSH-së.
Ndërkaq, edhe sot vazhdoi punimet komisioni për punë dhe politikë sociale, ku po diskutohet mbi nevojën e miratimit të ligjit të branitellave. Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Talat Xhaferri duke heshtur, me orë të tëra sot paraqiti sërish slajde me kundërshtimet e partisë së tij ndaj draftit.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Kush mendoni se i ka bërë vrasjet e pasluftës?
test