Dimovski: Negociata me BDI-në për t'i zhdukur dallimet

Maqedonia

Dimovski: Negociata me BDI-në për t'i zhdukur dallimet

Më: 7 tetor 2012 Në ora: 15:52

Dy ditë pas votëbesimit të Qeverisë dhe fjalimeve të ashpra, jo gjithçka duket e “pashpresë”.
Deputeti dhe drejtor i Qendrës për Komunikim i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, ka paralajmëruar në një intervistë për portalin Press24, se kjo parti do të vijojë bisedimet me BDI-në për të mbyllur dallimet ekzistuese.
Ndërkohë, ka theksuar ai, Qeveria do të vijojë së zbatuari projektet e saj në interes të qytetarëve.
“Është me rëndësi që institucionet të funksionojnë me kapacitet të plotë dhe t’i realizojnë obligimet e tyre sipas ligjeve dhe përpara qytetarëve”, ka deklaruar Dimovski.
Deputeti ka theksuar se ajo që e dallon këtë koalicion prej të mëparshmëve, është transparenca dhe diskutimi i hapur i problemeve dhe jo të bërit pazar.
“Ekzistojnë probleme dhe mosmarrëveshje në koalicion, ekzistojnë edhe pikëpamje të ndryshme, por ajo që është me rëndësi është se ne nuk bëjmë pazare me ato dallime që kemi. Nëse do t’u ngjanim koalicioneve të tjera, sigurisht se as nuk do të dihej për këto probleme, ose ato do të zgjidheshin në llogari të çështjeve të tjera”, ka deklaruar Dimovski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat