Shpresë për zgjidhjen e mospajtimeve me Shkupin?! - Bota Sot
Shpresë për zgjidhjen e mospajtimeve me Shkupin?!

Maqedonia

E martë, 30 gusht 2016

Shpresë për zgjidhjen e mospajtimeve me Shkupin?!

Më: 7 tetor 2012 Në ora: 18:30

Përveç shprehjes së kënaqësisë nga ana e shefit të diplomacisë, Nikolla Poposki, për, siç thuhet, përgjigjen e marrë lidhur me nismat e tij në periudhën e kaluar, deri më tani institucionet e këtushme nuk kanë dalë me një qëndrim të qartë ndaj memorandumit të propozuar nga ana Greqisë.

Në këtë memorandum, përveç respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, kërkohet edhe gjetja e një zgjidhjeje për çështjen e emrit në kuadër të siç thuhet, kornizës së caktuar më parë, një emër me përcaktim të qartë gjeografik që do të bëjë dallim të qartë mes territorit të Maqedonisë dhe rajonit të Maqedonisë në Greqinë Veriore dhe që ai të jetë definitiv dhe për përdorim të përgjithshëm.

Në ditarin diplomatik të Ministrisë së Jashtme, Poposki, ka shkruar se fqinjët e mirë punojnë në uljen e ndjenjës së kërcënimeve, për respektimin e sovranitetit dhe integritetin territorial si dhe respektojnë plotësisht obligimet e marra paraprakisht.

Nga ana tjetër, duke komentuar memorandumin e palës greke që është i pari i këtij lloji që nga paraqitja e kontestit të emrit, 20 vjet më parë, Stevo Penarovski, profesor universitar, thotë:

“Kjo është një përpjekje për të dëshmuar nga ana e Athinës se jeni ju ata që nuk shfaqni interes për zgjidhjen e problemit dhe jo pala greke. Në këtë rast, mendoj se pala maqedonase do të bënte gabimin më të madh të mundshëm nëse do të mbetet pasive apo nëse do të përgjigjet me refuzimin e propozimeve të Greqisë”.

“Institucionet, fillimisht, duhet të tregojnë se për asgjë deri më tani nuk janë marrë vesh me palën greke, pasi në propozimin për memorandum thuhet se dy palët duhet të vazhdojnë bisedimet në kuadër të kornizës së arritur për parametrat bazë të zgjidhjes së kontestit. E them këtë pasi ne nuk dimë se ekziston një kornizë përveç asaj se duhet të bisedohet”.

Penarovski shton se pala maqedonase, gjithashtu, nuk duhet të pranojë pjesën e memorandumit ku flitet për pranimin e një emri për përdorim të përgjithshëm.

“Vendosja e përcaktimit ‘erga omnes’, për zgjidhjen e ardhshme, nuk duhet të qëndrojë në memorandumin, me të cilin kërkohet rinisja e procesit për emrin, e që, sipas palës greke, duhet të përmbajnë një emër me përcaktim gjeografik për përdorim të përgjithshëm, apo siç njihet ndryshe si ‘erga-omnes’”, sqaron Pendarovski.

Por, pavarësisht kësaj, Arsim Sinani, ligjërues universitar dhe drejtues i Akademisë Diplomatike Shqiptare në Maqedoni, thotë se memorandumi i propozuar nga pala greke, është një nismë e mirë që shpreh gatishmërinë e palës greke për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar.

“Kjo është një letër që hap raporte të reja ndërmjet dy vendeve dhe mendoj se kjo është një parapërgatitje për uljen e tensioneve dhe toneve nacionaliste, si në Maqedoni, ashtu edhe në Greqi, për të ardhur deri te një situatë, e cila do të sillte një zgjidhje të përgjithshme, që do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë këtë çështje”.

“Kështu që, mendoj se është një moment i mirë, pasi kur ka turbulenca, mund të ketë edhe momente që do të ishin të mira për qytetarët”, vlerëson Sinani, duke u ndalur edhe në pozicionin e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilat, sipas tij vazhdimisht kanë treguar konstruktivitetin e tyre për mbylljen e këtij problemi që ka bllokuar procesin integrues të Maqedonisë.

Por, Sinani rikujton se bisedimet eventuale dhe arritja e ndonjë zgjidhjeje të mundshme, në asnjë mënyrë nuk do të ishte e pranueshme për shqiptarët nëse do të përmbante ndonjë prapashtesë sllave.

“Ne dëshirojmë zgjidhje të problemit. I kemi dhënë 21 vjet kohë faktorit politik maqedonas që ta zgjidhë këtë problem, por shqiptarët nuk do të rrinë anash dhe nuk do të pranojnë ndonjë emër, i cili, do t’i rrezikonte interesat e tyre, për shkak se ne jemi këtu, jemi faktor i rëndësishëm dhe ne dëshirojmë që të ketë një zgjidhje, që do të ishte e pranueshme edhe për ne”, thekson Sinani.

Nisma e Athinës për nënshkrimin e një memorandumi ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, vjen vetëm disa ditë pas vizitës atje të komisionarit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle, dhe takimit në New York të ministrave të Punëve të Jashtme të të dy vendeve me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki-Moon, dhe të dërguarin e tij për zgjidhjen e kontestit, Metju Nimic.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Kush ka të drejtë dhe çfarë duhet të bëj Qeveria me demarkacionin me Malin e Zi?

    Kuvendi duhet ta votojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi

    Qeveria duhet ta rishikoj marrëveshjen

    Opozita ka të drejtë që po kundërshton demarkacionin

    Qeveria ka të drejtë për demarkacionin

    Nuk duhet të votohet marrveshja, sepse me demarkacion Kosova humbë tokë

    Shiko rezultatet
test