Hasan Prishtina nga sot e përgjithmonë në Shkup

Maqedonia

Hasan Prishtina nga sot e përgjithmonë në Shkup

Më: 14 tetor 2012 Në ora: 17:39

Komuna e Çairit ka përmbyllur me sukses projektin e vendosjes së përmendores së Hasan Prishtinës në Shkup i cili edhe zyrtarisht do të shpaloset sot me një program të posaçëm të paraparë për këtë eveniment.

Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti tha se projekti përfundoi me sukses për shkak se lokacioni ku u vendos përmendorja e Hasan Prishtinës është një nga më të frekuentuarat. Ai gjithashtu shtoi se Hasan Prishtina tanimë është në vendin e tij ku edhe kishte luftuar për çlirimin e Shkupit.

“Ashtu siç edhe u planifikua jemi në përfundim, në përmbyllje të këtij projekti kombëtar të vendosjes së figurës së Hasan Prishtinës në këtë lokacion në këtë rrugë e cila është më frekuente në Republikën e Maqedonisë. Mund të them se prej këtij momenti është projekt i përmbyllur me sukses i cili krijon emocione tek unë si kryetar komune po edhe tek të gjithë shqiptarët që e ndjejnë Hasan Prishtinën një lider të natyrshëm, lider i cili Shkupin e ndjen si qytet të vetin, edhe siç përmendet si Shkupi i Hasan Prishtinës”, Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.

Emocionet që kishin kapluar familjarin Memet Prishtina nuk lejuan që ai të flasë shumë rreth vendosjes së përmendores. Ai uroi gjithë shqiptarët për vendosjen e përmendores.

“Është një gëzim i pa përshkruar për familjen, për gjithë ne që përfundimisht erdhi kjo ditë që po e gëzojmë që Hasan Prishtina po përjetësohet në mes të Shkupit, në mesin e gjithë atyre që i ka dashtë më së shumti dhe sigurisht që e paskan dashtë sepse e pranuan dhe e përqafuan ashtu si ka qenë para 100 vjetësh. Kam emocion dhe nuk di si ta përshkruaj këtë ndjenjë të veçantë, pra urime dhe përhajër na qoftë të gjithëve dhe gjithë shqiptarëve”, tha Memet Prishtina, familjar.

Përmendorja e Hasan Prishtinës e derdhur në bronz dhe me një lartësi prej 3 është vepër e skulptorit Artan Peqini. I gjithë projekti kap vlerën prej 72 mijë euro, ndërsa është donacion i Mehmet Prishtinës, familjar i heroit shqiptar. Një vit më parë shtatorja e Hasan Prishtinës u ngrit edhe në Prishtinë ndërsa në nëntor do të vendoset edhe në Tiranë. Ndryshe sot në organizim të Institutit për trashëgimi kulturore të shqiptarëve është mbajtur edhe konferenca shkencore “Veprimtaria atdhetare te Hasan Prishtinës” ku me referate u paraqitën studiues nga Shkupi, Prishtina e Tirana.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat