Zëvendëskryeministrja Arifi për vizitë pune në Kroaci

Maqedonia

Zëvendëskryeministrja Arifi për vizitë pune në Kroaci

Më: 17 tetor 2012 Në ora: 18:32

Zëvendës kryeministrja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Teuta Arifi, sot qëndroi për vizitë pune në Republikën e Kroacisë, ku realizoi takim me nënkryetarin e Qeverisë së Republikës së Kroacisë për politikë të brendshme, të jashtme dhe Evropiane, Neven Mimica me të cilin biseduan për ngjarjet e fundit në agjendën e eurointegrimeve të dy vendeve.

Me këtë rast u theksua marrja e Raportit të fundit nga Komisioni Evropian për progresin e Kroacisë dhe anëtarësimi i këtij vendi në BE në vitin 2013, ndërsa lidhur me Republikën e Maqedonisë u theksua Raporti mjaft pozitiv, i cili tregon përkushtimin serioz të të gjitha institucioneve në zbatimin e reformave.

Siç njofton thuhet në kumtesën e SÇE-së, Arifi dhe Mimica u përqëndruan dhe biseduan për përvojën e Republikës së Kroacisë në procesin e eurointegrimeve dhe në mënyrën se si ky vend është ballafaquar me sfidat në drejtim të zbatimit të reformave.

Arifi gjatë qëndrimit në Kroaci u takua edhe me ministrin e Zhvillimit Rajonal dhe Fonde të BE-së, Branko Gërçiq me të cilin biseduan për rëndësinë e fondeve të cilat i ndan BE për zhvillimin e vendeve si dhe ndanë përvojat e tyre lidhur me shfrytëzimin e këtyre fondeve.

Zëvendëskryeministrja Arifi gjithashtu realizoi takim me ministrin për punë të brendshme Ranko Ostojiq dhe me zëvendës ministrin për punë të jashtme dhe çështje evropiane Joshka Klisoviq, ku u nënvizua bashkëpunimi i mirë bilateral i dy vendeve në më shumë fusha, dhe mundësitë e avancimit të tyre përmes këmbimit të përvojave në procesin e eurointegrimeve.

Gjithashtu u theksua edhe nevoja për thellim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve të mira bilaterale mes Maqedonisë dhe Kroacisë, në fushën e bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik dhe njëherit nga ana e bashkëbiseduesve u rikonfirmua mbështetja që merr vendi ynë nga Republika e Kroacisë në drejtim të realizimit të qëllimit të përcaktuar qartë për anëtarësimin i vendit në strukturat euroatlantike.

Zëvendëskryeministrja Arifi, në kuadër të vizitës në Kroaci, u takua edhe me kryetarin e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare për qytetin e Zagrebit, Gëzim Rexhepi dhe kryetarët e shoqatave shqiptare që veprojnë në Republikën e Kroacisë.

Gjatë takimit u bisedua mbi perspektivën evropiane të shteteve ballkanike dhe aktivitetet e ndërmarra në nder të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Zëvendësministrja Arifi informoi nikoqirët për Raportin pozitiv të KE-së dhe mbarëvajtjen e realizimit të obligimeve të cilat dalin nga procesi i integrimit evropian si prioritet strategjik kyç i Republikës së Maqedonisë dhe u përgjigj pyetjeve të anëtarëve të shoqatave prezente në takim.

Rexhepi informoi zëvendëskryeministren lidhur me mbajtjen e simpoziumit shkencor "100 Vjet Shtet Shqiptar" si dhe angazhimin e gjitha shoqatave shqiptare që Kroaci për të shënuar 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat