USHT nderoi laureaten e Manifestimit Ndërkombëtar Letrar ,,Ditët e Naimit”

Maqedonia

USHT nderoi laureaten e Manifestimit Ndërkombëtar Letrar ,,Ditët e Naimit”

Më: 19 tetor 2012 Në ora: 18:25

Në kuadër të Manifestimit Ndërkombëtar Letrar “Ditët e Naimit”, gjatë ditës së sotme (19.10.2012), para auditorit, në amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së u prezantua Laureati i çmimit “Naim Frashëri”, poetja suedeze nga Finlanda, Tua Forstrom.

Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, në fjalimin e tij theksoi se Universiteti Shtetëror i Tetovës, përveç aktiviteteve nga sfera e arsimit dhe shkencës, përherë ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar edhe për shënimin e ngjarjeve të rëndësishme kulturore, artistike dhe letrare.

“Ndjehem shumë i nderuar të Ju dëshiroj mirëseardhje të gjithë juve që jeni të pranishëm në këtë solemnitet, dhe njëherësh të ju dëshiroj qëndrim të këndshëm në hapësirat e Universitetit tonë, poetëve dhe krijuesve të ardhur nga të katër meridianët e botës, për ta nderuar manifestim tradicional dhe figurën emblematike të Rilindjes sonë kombëtare, Naim Frashërin, i cili është shndërruar edhe në emblemë të afirmimit dhe njohjes ndërkombëtare të qytetit të Tetovës, i cili e rriti dhe i dha frymë kësaj feste të madhe të kulturës sonë për 16 vjet me radhë.

Ky është një rast shumë i veçantë edhe për faktin që në Universitetin tonë përurohet laureati i sivjetmë, i Edicionit të XVI të Manifestimit Ndërkombëtar Letrar "Ditët e Naimit”, poetja e shquar finlandeze, zonja Tua Forstrom”, tha në mes tjerash në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Poetja Tua Forstrom, falënderoi stafin dhe studentët e USHT-së, për nderin që i bëhet asaj, duke theksuar se ndjehet mjaft e lumtur që gjendet në Tetovë dhe në USHT. Ajo tha se poezia dhe arti në përgjithësi është ambasadori më i mirë për afrimin e popujve nga pjesë të ndryshme të botës.

Në shenjë respekti dhe mirënjohje për kontributin e veçantë për afirmimin e letërsisë, artit dhe kulturës, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, laureates së çmimit “Naim Frashëri” të Manifestimit Ndërkombëtar Letrar “Ditët e Naimit”, Tua Forstrom, i ndau Pllaketën me emblemën e USHT-së.

Në cilësinë e bashkorganizatorit, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, i shoqëruar edhe nga prorektorët, Prof. dr. Arbër Çeliku, Prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar dhe Prof. dr. Fehari Ramadani, Prorektor për arsim, morën pjesë edhe në hapjen solemne të këtij Festivali të poezisë që u mbajt më 18.10.2012, në Qendrën kulturore të Tetovës.

Fillimisht, Rektori Ameti së bashku me figurën emblematike të qëndresës shqiptare, z. Adem Demaçi, laureaten Tua Frostrom dhe Drejtorin e Festivalit, z. Shaip Emërllahun, vendosën buqeta me lule, tek shtatorja e Naim Frashërit që gjendet para Qendrës kulturore në Tetovë.

Në fjalën e tij para auditorit të pranishëm, në hapjen solemne të Festivalit të poezisë “Ditët e Naimit”, Rektori i USHT-së, Prof. dr.Vullnet Ameti duke e përgëzuar drejtorinë e Festivalit për punën vetëmohuese, theksoi se duke nderuar për çdo vit prijësin më emblematik të Rilindjes Kombëtare, nderojmë edhe veten tonë, pasi ky festival prestigjioz, tani më njihet jo vetëm në vendin tonë dhe rajon, por pjesëmarrja e poetëve të njohur nga të gjitha kontinentet e botës, ka bërë që manifestimi letrar "Ditët e Naimit" të shndërrohen në ngjarje kulturore ndërkombëtare, prandaj, nga të gjithë ne meriton vëmendjen e duhur dhe respektin e veçantë.

USHT, edhe në të ardhmen, do t’i mbështesë aktivitetet e kësaj natyre e sidomos ata që kanë të bëjnë me historinë, shkencën dhe kulturën shqiptare.
Zmadho fotografinë

Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti

Më tej fjala përshëndetëse e Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ne promovimin e laurates se manifestimit "Ditët e Naimit"

Me rastin e Edicionit të gjashtëmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, që organizohet këto ditë në qytetin tonë, ndjehem shumë i nderuar të Ju dëshiroj mirëseardhje të gjithë juve që jeni të pranishëm në këtë solemnitet, dhe njëherësh të ju dëshiroj qëndrim të këndshëm në hapësirat e Universitetit tonë, poetëve dhe krijuesve të ardhur nga të katër meridianët e botës, për ta nderuar manifestim tradicional dhe figurën emblematike të Rilindjes sonë kombëtare, Naim Frashërin, i cili është shndërruar edhe në emblemë të afirmimit dhe njohjes ndërkombëtare të qytetit të Tetovës, i cili e rriti dhe i dha frymë kësaj feste të madhe të kulturës sonë për 16 vjet me radhë.
Ky është një rast shumë i veçantë edhe për faktin që në Universitetin tonë përurohet laureati i sivjetmë, i Edicionit të XVI (gjashtëmbëdhjetë) të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ,,Ditët e Naimit”, poetja e shquar finlandeze, zonja Tua Forstrom.

Të dashur miq dhe dashamirë të fjalës poetike,
Me këtë rast, drejtorisë së Festivalit ,,Ditët e Naimit” i shprehi falënderime që pjesën më të bukur të këtij Festivali e organizojnë në ambientet e Universitetin Shtetëror të Tetovës. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. Uroj që ta vazhdoni me sukses këtë aktivitet, ndërsa laureaten e sivjetme, zonjën Tua Forstrom, ta përgëzoj në emër të stafit drejtues të Universitetit tonë dhe t’i dëshiroj suksese të reja në punën e saj krijuese.
Në fund, në emrin tim personal dhe në emër të Universitetit, të gjithë krijuesve, pjesëmarrësve dhe mysafirëve të këtij Festivali t’u dëshiroj suksese dhe qëndrim të këndshëm në vendin tonë.

Më tej fjala përshëndetëse e Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, me rastin e manifestimit "Ditët e Naimit"-më 19.10.2012

Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të jem sonte këtu mes Jush, në Hapjen solemne të Edicionit të Gjashtëmbëdhjetë (XVI) të Manifestimit Ndërkombëtar të Poezisë, ,,Ditët e Naimit”.
Më gëzon fakti që pikërisht ky Festival prestigjioz, që njihet jo vetëm në vendin tonë dhe rajon, por pjesëmarrja e poetëve të njohur nga të gjitha kontinentet e botës, ka bërë që manifestimi letrar ,,Ditët e Naimit” të shndërrohen në ngjarje kulturore ndërkombëtare, prandaj, nga të gjithë ne meriton vëmendjen e duhur dhe respektin e veçantë.
Po ashtu, duhet të falënderojmë edhe organizatorin e këtij Festivali, drejtorin Shaip Emërllahu, i cili me përkushtimin dhe ndjesinë e tij artistike, për 16 edicione me radhë e ka begatuar jetën kulturore në qytetin e Tetovës, dhe në këtë mënyrë të gjithë së bashku, për çdo vit, të nderojmë prijësin më emblematik të Rilindjes Kombëtare, dhe sikurse thotë edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare:
“Rilindësit ishin njerëz të mëdhenj dhe kishin gjoks të gjerë për të luftuar njëkohësisht në shumë fronte. Ekipi i tyre ishte i fortë dhe i pajisur me gjithçka, me pushkë e me penë, me poema dhe gramatika, me fjalorë, rapsodi popullore dhe harta politike. Sami dhe Abdyl Frashëri, De Rada, Vaso Pasha e Vretoja, Mitkoja e Kristoforidhi, Çajupi e Asdreni, e shumë e shumë të tjerë, me Naimin në krye, nuk zmbrapseshin përpara asgjëje kur ishte fjala për interesat e Atdheut”.

Universiteti Shtetëror i Tetovës, i vetëdijshëm për rolin e Tij historik, arsimor dhe kulturor, tashmë ka ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi me institucione të veprimtarive të ndryshme, dhe në këtë kontekst, institucioni ynë për çdo vit e mbështet organizimin e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, dhe siç theksova edhe më lartë, është bërë një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore në vendin tonë dhe më gjerë.
Në fund, të gjithë pjesëmarrësve dhe mysafirëve Ju uroj qëndrim dhe çaste të këndshëm në qytetin e Tetovës, me dëshirë që mbresat nga ky Festival t'i bartni me vete në vendin Tuaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat