Ivon: Marrëveshja e Ohrit dokument që vazhdon të realizohet

Maqedonia

Ivon: Marrëveshja e Ohrit dokument që vazhdon të realizohet

Më: 21 tetor 2012 Në ora: 15:54

Rekomandimi për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE për të katërtën herë në raportin e progresit, nuk është reagim ndaj situatës së përkeqësuar të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni por përkundrazi paraqet inkurajim për përforcimin dhe përmirësimin e tyre. Kështu ka theksuar ambasadori i Britanisë së Madhe në Shkup Kristofer Ivon në intervistën javore dhënë Radios Evropa e Lirë. Ai vlerëson se marrëdhëniet ndëretnike dhe procesi euro-integrues janë çështje që lidhen njëra me tjetrën. “Nuk jam I sigurt se kjo është arsyeja. Kur lexova strategjinë e zgjerimit kuptova se në të vërtetë është e kundërta. Nëse shihni se çfarë tha komisari, mendoj se lëvizja e procesit të zgjerimit në fazën e ardhshme do të ndihmojë që të përforcohen marrëdhëniet ndëretnike. Ky nuk është reagim ndaj situatës në Maqedoni. Është një lloj inkurajimi që të përforcohen dhe përmirësohen marrëdhëniet ndëretnike. Në fund të fundit Marrëveshja e Ohrit për shembull është pjesë e dialogut në nivel të lartë dhe mund të shihni se si ato dy çështje shkojnë njëra me tjetrën”, deklaroi Kristofer Ivon, ambasador i Britanisë së Madhe. Duke komentuar incidentet e vazhdueshme mes bashkësive etnike, ambasadori britanik thekson se akoma nevojitet kohë për ndërtimin e besimit ndëretnik. “Mendoj se Marrëveshja e Ohrit është dokument i gjallë i cili tregon se procesi vazhdon... Mendoj se në 11 vitet e kaluara nga viti 2001 ai udhëtim vazhdon dhe është vështirë të thuhet nëse ai projekt ndonjëherë do të përfundojë. Mendoj se nuk është lehtë pasi njerëzit janë të ndjeshëm. Kur flas me ta, ata kanë ndjenja të ndryshme dhe janë tepër të ndjeshëm për ngjarjet e vitit 2001. Por është e qartë se ka qetësi pas 2001. Ka përparim të madh në sfera të ndryshme siç është për shembull decentralizmi”, tha Kristofer Ivon, ambasador i Britanisë së Madhe. Ambasadori britanik Kristofer Ivon thekson se raporti i progresit i KE për Maqedoninë është inkurajues ngase në të theksohen përparësi në shumë sfera por dhe rekomandime në disa të tjera. “Nëse ka sfera ku Britania e Madhe mund të ndihmojë, do të kemi kënaqësinë nëse i ndajmë përvojat tona me ju”, ka theksuar ambasadori britanik në Shkup Kristofer Ivon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat