Banesat sociale, Qeveria anashkalon shqiptarët

Maqedonia

Banesat sociale, Qeveria anashkalon shqiptarët

Më: 3 janar 2013 Në ora: 21:06

Në asnjë komunë shqiptare nuk do të ndërtohen banesa për familje të varfra sociale. Në programin për ndërtimin e tyre Brenda 2 viteve të ardhshme, të prezantuar sot nga Qeveria, bëjnë pjesë vetëm 5 komuna, të gjitha me shumicë maqedonase. Sipas këtij programi, deri në vitin 2015 banesa sociale do të ndërtohen në Butel, Resnjë, Demir Hisar, Koçan dhe Prilep.

“Këtë vit kanë qëlluar pikërisht këto 5 qytete të jenë qytetet ku do të ndërtohen banesat, ndërsa në periudhën e kaluar janë përfshirë edhe qytete, përkatësisht komuna ku jetojnë siç u shprehët ju, komunitet me dominancë shqiptare ose turq, serb. Ndërtohen ndërtesa në të gjitha qytetet kështu që nuk ka kurrfarë dallimi porsa i përket kategorisë së caktuar të qytetarëve, dallimi i vetëm është dimensioni social dhe statusi social i qytetarëve. Kuptohet se të gjithë qytetarët, pavarësisht përcaktimit të tyre etnik, nacional, fetar, politik dhe gjinor kanë të drejtë të njëjtë të konkurrojnë dhe t’i marrin këto banesa”, deklaroi Aleksandar Gjorgjiev, zëdhënës i Qeverisë.

Edhe në programet e mëparshme për ndërtimin e banesave sociale nga ana e Qeverisë, komunat shqiptare kanë qenë anashkaluar. Me programin e kaluar 5 vjeçar, nga viti 2007 deri në 2011, banesa sociale u ndërtuan në Makedonska Kamenicë, Gjorçe Petrov, Ohër, Kërçovë, Koçan, Kavadar dhe Kriva Pallankë. Ndërkaq, për sa i përket programit aktual për të cilin janë ndarë 14 milion euro, dhe që do të realizohet në dy faza gjatë dy viteve të ardhshme, Qeveria garanton se ndarja e banesave do të bëhet në mënyrë transparente dhe në pajtim me kriteret e parashikuara. Përparësi do të kenë prindërit e divorcuar, invalidët si dhe raste të tjera sociale. Fituesit e banesave do të paguajnë çmim simbolik prej 200 denarësh në muaj për mirëmbajtje, ndërsa nuk kanë të drejtë që t’i tjetërsojnë ato.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat