Shqipja, gjuhë e dytë zyrtare në Shkup

Maqedonia

Shqipja, gjuhë e dytë zyrtare në Shkup

Më: 20 shkurt 2013 Në ora: 10:59

Në Qytetin e Shkupit ka filluar të respektohet dygjuhësia. Mbishkrimet në rrugët kryesore, qendra turistike, objekte me rëndësi dhe në komunikacion, janë vetëm fillimi i respektimit të tërësishëm të obligimit kushtetues për përdorimin e gjuhës së etnitetit shqiptar në Maqedoni.

"Poqese kalon në qytetin e Shkupit, kudo do të shihni se mbishkrimet përveç në gjuhën maqedonase janë edhe në gjuhën shqipe. Kjo ka të bëjë në të gjitha sipërmarrjet publike që janë në ingerencë të qytetit të Shkupit. Mbishkrimet e sipërmarjeve janë në gjuhën shqipe, tabelat në komunakcion janë në gjuhën shqipe, udhërrëfyes të ndryshme për qytetarët rreth objekteve me rëndësi, çdokund mund të shihni se implementimi i gjuhës shqipe në nivel të qytetit, është në masë të madhe", tha për RTVM-në këshilltari në këshillin e qytetit të Shkupit, Rahim Limani.

Sipas Limanit, njësia e vetëadiminstrimit lokal të qytetit të Shkupit do të vazhdojë edhe më tej të punojnë në drejtim të implementimit të mbishkrimeve edhe në gjuhën shqipe edhe përkundër pengesave dhe rezistencave të mundshme.

"Ne në fillim të mandatit tonë kemi hasur në hezitime dhe rezistenca për aplikimin e gjuhës shqipe me siguri se edhe do të ketë. Por unë ju garantoj se ky është një proces i cili mendoj se nuk ka të ndalur dhe çdo ditë e më tepër në mënyrë të fuqishme, qytetit i Shkupit jeton dhe frymon në gjuhën shqipe", tha këshilltari në këshillin e qytetit të Shkupit, Rahim Limani.

Limani pohon se në vitet e ardhshme, me mbishkrime në gjuhën shqipe do të pajisen të gjitha institucionet, ndërmarrjet publike si dhe objektet e rëndësishme historike, kulturore si dhe ato turisitike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat