Struga feston fitoren shqiptare

Maqedonia

Struga feston fitoren shqiptare

Më: 8 prill 2013 Në ora: 08:38

Në sheshin “Nënë Tereza” ishin tubuar mbi 15 mijë qytetarë për të festuar dhe përgëzur fitoren, ndërsa në mesin e tyre qëndroi Ziadin Sela, i cili fitoi 19.315 vota kundrejt Vlladimir Koçoskit që fitoi 14.582 vota.

Shqiptarët në Strugë mbrëmë festuan fitoren e kandidatit shqiptar Ziadin Sela. Në sheshin “Nënë Tereza” ishin tubuar mbi 15 mijë qytetarë për të festuar dhe përgëzur fitoren, ndërsa në mesin e tyre qëndroi Ziadin Sela, i cili fitoi 19.315 vota kundrejt Vlladimir Koçoskit që fitoi 14.582 vota.

“Ju faleminderoj nga zemra juve 21 mijë votuesve që ju shënuat këtë fitore duke mos u trembur as nga policia e as nga njësitet speciale. Sot fitorja është shumë e ëmbël sepse keni qenë ju që ata bashkë me mua shënuam fitore. Ju sot e keni fituar Nikolla Gruevskin, e keni fituar Branko Cërvenkovskin, prandaj unë ju uroj juve për këtë fitore. Bravos!. Unë ju kërkoj ndjesë se nuk mundem të përmendë 21 mijë emra, por disa më duhet ti përmendë. Faleminderoj nga zemra kolegun tim Arben Labënishtin, sepse ashtu si e ka tradita familjare shqiptare, e çuam këtë rrugë bashkë që Struga edhe sot është shqiptare dhe jo vetëm për sot, por për jetë e mot. Ua premë shpresat atyre që u munduan me gjithçka dhe tani më nuk kanë shpresë se mund të fitojnë në Strugë”, theksoi Sela, duke shprehur falimenderime për Partinë turke, Partinë e egjiptianëve dhe të gjithë të tjerët.

Ai gjithashtu tha se faleminderon edhe Llabunishtën shqiptare, Oktisin trim dhe shqiptar, Podgrocën shqiptare dhe premtoi se paralelet ne gjuhën shqipe do të hapen në Podgorcën, Ladorishtin, Veleshtën e madhe... dhe të gjithë vendbanimet tjera.

“Faleminderoj edhe familjen time që më mbështeti. Një ditë vajza ime edhe pse e vogël më tha se ti babi po të hipi ty inati, ti fiton. Mua nuk më hipi inati, por iu hipi juve inati dhe shënuam fitore. Ne jemi të civilizuar, jemi bujarë, dhe prej nesër do ti shtrijmë dorën bashkëqytetarëve tanë. Unë sot i porosita që të mos bëhen pjesë të konstruksioneve të Gruevskit. Do të punojmë për të gjithë se ashtu kemi premtuar. Mos i shihni me urrejtje bashkëqytetarët, shtrijani dorën por le ta dinë mirë ata që bëjnë skenare se Struga ka qenë, është dhe do të jetë shqiptare. Duam ta shohim Strugën me investime, me urbanizëm, të paktën me shëtitore dhe me plazhe për qytetarët, ta shohim Strugën si destinacion turistik e të pastër. Ta gëzojmë Strugën tonë shqiptare të gjithë ne”, theksoi Ziadin Sela.

Vlen të theksohet se gjatë ditës së djeshme nëpër rajonet e banuara me shqiptar, ka pasur forca të mëdha policore, të njësiteve speciale të policisë që kanë qarkulluar vazhdimisht dhe kanë krijuar situata të tensionuara. Po ashtu, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Cejku, vizitoi KKZ-në dhe disa vendvotime në Strugë, ndërsa vëzhgues të tjerë nuk janë vërejtur pos vëzhguesve të partive maqedonase, ministra, deputet dhe zyrtar të lartë shtetëror. (INA)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat