Raporti i DASH, kritika të ashpra Maqedonisë

Maqedonia

Raporti i DASH, kritika të ashpra Maqedonisë

Më: 21 prill 2013 Në ora: 11:06

Departamenti i Shtetit Amerikan ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Maqedonisë në Raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2012. Në pjesën e të drejtave politike, Departamenti ka kritikuar partitë në pushtet për miratimin jodemokratik të buxhetit. Sipas tyre, partitë qeveritare kanë anashkaluar disa hapa nga procedura e parashikuar për miratimin e buxhetit, ndërsa gazetarët janë larguar nga salla në kundërshtim me kushtetutën.

“Në dhjetor, qeveria dështoi të ndjek procedurat e rregullta parlamentare për sjelljen e buxhetit për vitin 2013. Koalicioni qeverisës anashkaloi disa hapa të procedurës, ndërsa kryetari i parlamentit nuk siguroi kopje të buxhetit për shqyrtim para votimit, ashtu siç parashikohet me ligj. Më 24 dhjetor, deputetët opozitarë pohuan se nuk u janë dhënë kartela për votim. Anëtarët e opozitës fizikisht bllokuan vendin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa sigurimi, me urdhër të krye parlamentarit, me forcë përjashtoi deputetët opozitar nga salla e Kuvendit. Gazetarët gjithashtu me forcë u hoqën nga salla. Pjesa e mbetur në Kuvend pastaj kaloi buxhetin si dhe disa ligje tjera kundërthënëse pa debat dhe në kundërshtim me kushtetutën”, thuhet në Raport.

Raporti flet edhe për korrupsion në Qeveri, gjyqësi dhe polici. Në pjesën e marrëdhënieve ndëretnike, Departamenti i Shtetit Amerikan vëren tensione dhe incidente të caktuara që kanë përcjell vitin 2012. Gjithashtu është përmendur edhe përfaqësimi i dobët i shqiptarëve nëpër institucione, i cili edhe pse ka arritur rritje që nga viti 2002, akoma nuk është në nivelin adekuat. Vërejtje të ashpra janë theksuar edhe në fushën e mediave dhe shprehjes së lirë. Në raport thuhet se presioni qeveritar ndaj mediave është problem i vazhdueshëm, ndërsa janë luftuar të gjitha ata qëndrimet e të cilëve nuk janë në vijë të njëjtë me qeverinë.

“Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes dhe të mediave, por qeveria nuk ka demonstruar respekt të mjaftueshëm për këtë të drejtë në praktikë, dhe presioni qeveritar mbi mediat ka qenë problem i vazhdueshëm. Individë të caktuar kanë kritikuar qeverinë publikisht apo privatisht, por ka pasur vërejtje se qeveria ka tentuar të ndalojë kritikat”, thuhet në Raportin e DASH-it.

Në raport përsëriten vërejtjet e viteve të kaluara për sa i përket sistemit juridik dhe kushteve nëpër burgje. Mbipopullimi i burgjeve, dhuna në mes të burgosurve, dhuna nga autoritetet e burgut ndaj të burgosurve dhe kushtet e vështira higjienike në burgjet e Maqedonisë, mbeten fokus i kritikave nga Departamenti i Shtetit Amerikan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat