Shtëpia e Alfabetit, qeveria kompenson dëmet. Ish UÇK-ja mbron Shtëpinë e Alfabetit

Maqedonia

Shtëpia e Alfabetit, qeveria kompenson dëmet. Ish UÇK-ja mbron Shtëpinë e Alfabetit

Më: 29 maj 2013 Në ora: 23:37

Qeveria do të mbulojë dëmet materiale të Muzeut të Alfabetit, nga akti vandal i javës së kaluar. Me vendimin e djeshëm, Qeveria ka obliguar Ministrinë e Kulturës që të paguajë vlerën materiale që do të përcaktohet nga analiza e komisionit të formuar për vlerësimin e dëmit, të kryesuar nga drejtori i muzeut Gazmend Hoxhaj.

“Qeveria e Maqedonisë, në seancën e parë të saj ka shqyrtuar edhe informatën e përgatitur nga Ministria e Kulturës lidhur me aktin vandal ku u demolua objekti i Muzeut të Gjuhës Shqipe në Manastir. Në këtë rast Qeveria ka miratuar konkluzën me të cilën Ministria e Kulturës obligohet që të mbulojë të gjitha dëmet që janë shkaktuar gjatë këtij akti. Njëkohësisht Qeveria ka obliguar institucionet përkatëse, Ministrinë e Kulturës dhe atë të financave që të shqyrtojnë mundësinë në afat sa më të shkurtër të angazhojnë punëtorë shtesë në Muzeun e Alfabetit me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurimit dhe administrimit të këtij objekti”, tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

Përveç vendimit qeveritar për sigurimin e mëtejshëm të objektit të muzeut të kulturës, sot edhe Shoqata e Veteranëve të Luftës e dalë nga UÇK-ja, është ofruar që të mbrojë këtë objekt, me qëllim parandalimin e ndonjë akti tjetër vandal.

“Nga dita e sotme, ish luftëtarët e UÇK-së dhe të burgosurit politik mbrojnë objektin historik të Kongresit të Alfabetit tonë në Manastir. I drejtohemi UNESCO-s për mbrojtje institucionale ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e SHVL-UÇK.
Sipas informatave nga Ministria e Brendshme, hetimet për zbardhjen e rastit po përparojnë, dhe pritet që në ditët në vazhdim, sulmi vandal ndaj muzeut të Alfabetit të zbardhet plotësisht, dhe autorët të nxirren para drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat