Nesër nis Muaji i Shenjtë i Ramazanit

Maqedonia

Nesër nis Muaji i Shenjtë i Ramazanit

Më: 8 korrik 2013 Në ora: 18:46

Nga ora 2 e 44 minuta pas mesnate, të gjithë besimtarët myslimanë fillojnë Muajin e shenjtë të Ramazanit. Besimtarët do t’i përgjigjen për 30 ditë me radhë, ftesës së Allahut për të plotësuar këtë obligim fetar. Muaji i Ramazanit ka shumë vlera të mëdha që dallon nga muajt e tjerë, një prej tyre dhe më i rëndësishëm është se po në këtë muaj të shenjtë filloi zbritja e librit hyjnor, Kuranit. Në mesazhin e tij me rastin e fillimit të muajit të agjërimit, kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi tha se Muaji i Ramazanit paraqet një mundësi të veçantë për t’iu përgjigjur thirrjes së Allahut për agjërim, adhurim, bamirësi dhe solidaritet.

“Muaji i Ramazanit paraqet kënaqësi të veçantë dhe mundësi që me plot përkushtim t’i përgjigjemi thirrjes së Allahut për agjërim, adhurim, respekt dhe lexim të Kuranit, për ndërtim të vlerave morale, për bamirësi dhe humanitet, solidaritet dhe përkujdesje ndaj jetimëve. Ky është muaji i Kuranit, librit të shenjtë dhe të pavdekshëm, i cili është i shpallur nga Zoti për t’i udhëzuar njerëzit në besimin e vërtet, për të kuptuar vlerat shoqërore, për ndërtuar standarde të jetës, të bashkëjetesës, tolerancës dhe për të respektuar dallimet”, tha Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së.

Kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi, në mesazhin me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit mes të tjerash bëri thirje për ndihmë ndaj varfërve dhe të sëmurëve. Ai shtoi se ky muaj duhet të jetë një mundësi për të bërë ndryshime pozitive si në aspektin individual, shoqëror dhe atë familjar.

“T’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit dhe të mos nxisim urrejtje, ngase çështja jonë nuk duhet të jetë viktimë e mosrespektit të ndërsjellë vëllazëror.. Mbi të gjitha, le të jetë muaji ku do t’i përkushtohemi me sinqeritet të plotë dashurisë së Allahut fuqiplotë, nga i cili do të kërkojmë që të na pranojë agjërimin që e bëjmë në emër të Tij, të na fal për lëshimet tona eventuale nga përditshmëria jonë si rezultat i modernizmit dhe jetës bashkëkohore”, deklaroi Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së.

Numri një i BFI-së, Rexhepi tha se meqë ky është muaj përplot sfida, atëherë le të jetë sakrifica e të gjithë myslimanëve vetëm për kënaqësinë e Allahut, nga i cili priten shpërblime për veprat e mira që do të bëhen. Muaji i shenjtë i Ramazanit do të përfundoj me 8 gusht me kremtimin e Fitër Bajramit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat