Maqedoni: Anashkalohet kultura shqiptare

Maqedonia

Maqedoni: Anashkalohet kultura shqiptare

Më: 28 korrik 2013 Në ora: 21:34

Artistët shqiptarë akuzojnë institucionet për anashkalimin e kulturës shqiptare në Maqedoni, përkatësisht përfaqësimin e tyre nëpër institucionet kulturore, si dhe gjatë ndarjes së projekteve të ndryshme që financohen nga buxheti i shtetit.

“Ne, përveç që nuk arrijmë të marrim përqindje, ne nuk jemi as të përfaqësuar në institucionet kulturore, si në Teatrin dhe Operën e Baletit, në Filarmoninë e Maqedonisë, në institucionet e tjera kulturore shtetërore absolutisht as që bëhet fjalë përfshirja e artistëve shqiptarë”.

“Personalisht, kam bërë disa herë audicione në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe janë thënë fjalët më të mira për shkallën profesionale, por asnjëherë nuk kam marrë ftesë për ndonjë rol, për ndonjë koncert apo shfaqje që bëhet brenda atij teatri, e ku duhet të jenë të përfshirë edhe artistët shqiptarë”, thotë solistja Besiana Mehmeti.

Ajo shton se kulmi i pakënaqësisë ka arritur me rastin e ndarjes së projekteve në kuadër të “Verës së nxehtë kulturore”, në 29 komuna të Maqedonisë.

“Në momentin kur kemi tentuar të konkurrojmë dhe të marrim fonde nga buxheti i shtetit, ne jemi nënçmuar, jemi diskriminuar, dhe unë këtë do ta shpreh publikisht në vazhdimësi, sepse një pjesë e madhe e artistëve shqiptarë janë të indinjuar njëjtë si unë”.

“Nga 110 projekte, të cilat do të realizohen vetëm gjatë verës, 109 projekte janë maqedonase dhe vetëm një projekt është shqiptar i komunës së Gostivarit. Unë kam dorëzuar dy projekte, por që të dy janë refuzuar me arsyetimin banal se shumat paskan qenë më të mëdha se të projekteve të maqedonasve”, tregon Mehmeti.

Ndërkohë, përveç anashkalimit, gjatë ndarjes së projekteve dhe përfaqësimit nëpër institucionet kulturore, artistët shqiptarë ankohen për diskriminim edhe në paga.

Ata thonë se paguhen shumë më pak se aktorët maqedonas dhe fajin për këtë ia hedhin procedurave të ndryshme burokratike.

Kohë më parë aktorët e Teatrit Shqiptar në Shkup kanë mbledhur nënshkrime me kërkesën drejtuar të gjitha institucioneve relevante shtetërore për nivelizimin e pagave me aktorët maqedonas.

Por, aktori Ylber Murtezi thotë se është turp për institucionet që nisma të këtilla të ndërmerren nga aktorët.

“Ne, aktorët e Teatrit Shqiptarë kemi nënshkruar këtë peticion, por këtë punë duhet të bëjë dikush tjetër. Një aktor me autoritet siç është Bajrush Mjaku, ambasador i kulturës shqiptare në trojet mbarëshqiptare, të krahasohet me një punëtor të thjeshtë për nivelizimin e pagave, është turp për shoqërinë tonë”, shprehet aktori Murtezi.

Zgjidhje do të ketë për të gjitha problemet, përfshirë edhe pagat e aktorëve, thonë nga Ministria e Kulturës, e cila mohon akuzat për diskriminim në baza etnike, pasi, sipas ministrisë, të gjitha konkurset janë publike dhe profesionalizmi është kriteri kryesor gjatë ndarjes së projekteve.

Sa i përket përfaqësimit, nga Ministria thonë se në të gjitha komisionet që janë formuar në kuadër të saj, ka edhe shqiptarë, ndërsa në shumë segmente të tjera përfaqësimi ka tejkaluar edhe 20 për qindëshin. Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Muzafer Bislimi, ka ftuar të gjithë artistët, por edhe shoqatat e ndryshme që të konkurrojnë për programin e kulturës për vitin 2014, i cili do të jetë i hapur deri në shtator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat