Lagjja e Aerodromit, zonë e ndaluar për shqiptarët

Maqedonia

Lagjja e Aerodromit, zonë e ndaluar për shqiptarët

Më: 29 korrik 2013 Në ora: 21:36

“Komuna e Aerodromit është shndërruar në bastion të maqedonasve, ku këmba e shqiptarëve nuk mund të shkelë. Shumica e akteve të dhunës ndaj shqiptarëve; sulmimet, rrahjet, ngacmimet janë bërë pikërisht në këtë komunë. Por, nga këtu brenda askush nuk komenton incidentet”
Kryetari i Komunës së Aerodromit Ivica Konevski nuk pranoi që të prononcohet për televizionin Alsat lidhur me rrahjet sistematike ndaj shqiptarëve në Komunën e tij. Rasti I fundit ishte para dy ditësh me 18 vjeçarin Jusuf Islami i cili pas mesnate ishte sulmuar brutalisht nga persona të panjohur. Nga komuna thonë se është kompetencë e policisë të zbardhë incidentet e tilla. Por,heshtje mbretëron edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Zv/ministri , Zimri Qamili tha se hetimi është në rrjedhë, por nuk deshi të prononcohet deri nesër, për kur sipas tij, priten edhe rezultatet e para nga hetimi. Ndërkohë zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski, si gjithmonë tha se policia po punon në zbardhjen e rastit.

“Ministria e Punëve të Brendshme menjëherë pas denoncimit të rastit filloi të veprojë. Këto ditë po punohet intensivisht në vërtetimin e identitetit të sulmuesve, gjetjen e tyre dhe sjelljen para drejtësisë”, deklaroi Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Kotevski nuk ka përgjigje se dhuna sistematike që po ushtrohet ndaj shqiptarëve në Komunën e Aerodromit a është e organizuar, dhe a vjen nga autorë të njëjtë.

“Po bisedohet edhe me viktimën edhe me persona të tjerë që mund të na japin informata rreth identitetit të autorëve që mund të na ndihmojnë në përfundimin dhe realizimin e hetimit. Kështu që për momentin nuk mund të dalim me përfundime dhe të paragjykojmë për motivet dhe autorët, që të themi se ata edhe më herët kanë qenë të involvuara në këto lloj incidente”, tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Rasti i fundit i rrahjes brutale të të riut Jusuf Islami në Komunën Aerodrom përsëri ka aktualizuar rastet e mëparshme në këtë komunë, që kanë mbetur pa u zbardhur. Duke filluar që nga janari i këtij viti, kur 5 të rinj shqiptarë u shtruan në spital nga lëndimet. Në shumicën e rasteve, viktimat e dhunës dhe dëshmitarët tregojnë se dhuna buron kryesisht nga një grup huliganësh të Komunës së Aerodromit, të ashtuquajtur “Family Aerodrom”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat