Politika akoma ndalon gjuhën shqipe në Podgoricë

Maqedonia

Politika akoma ndalon gjuhën shqipe në Podgoricë

Më: 27 shtator 2013 Në ora: 20:41

Mësimi në gjuhën shqipe në fshatin Podgoricë të Strugës akoma mbetet një problem që nuk ka gjetur zgjidhjen institucionale.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë akoma nuk ka zyrtarizuar procesin mësimor në gjuhën shqipe në këtë shkollë, duke u arsyetuar për mungesë të kushteve, apo edhe përmes një vendimi që bazohet vetëm në vendimmarrje politike.

Nxënësit e disa paraleleve vijojnë të mësojnë në gjuhën shqipe, edhe pse shkolla dhe inspektorati i arsimit nuk ka legalizuar këto paralele, me arsyetimin për mungesën e kushteve. Problemi i këtyre paraleleve ka qenë temë e nxitur edhe në mbledhjen e Këshillit komunal të Strugës.

Përderisa këshilltarët maqedonas gjatë debatit kundërshtonin ndryshimin e Statutit të shkollës, për të mundësuar mësimin edhe në gjuhën shqipe, këshilltarët shqiptar të gjitha partive ishin në mbrojtje të mësimit në gjuhën shqipe, si e drejtë e patjetërsueshme qytetare e garantuar edhe me Kushtetutë.

Megjithatë, edhe gjatë votimit për propozim planprogramet mësimore, këshilltarët mbetën të ndarë mbi baza etnike, lidhur me këtë problem të politizuar tej mase, duke votuar secila palë sipas pozicionimeve të veta: këshilltarët maqedonas votuan pro, ndërsa këshilltarët shqiptar votuan kundër miratimit të planprogrameve që pamundëson mësim edhe në gjuhën shqipe në shkollën e Podgorcës.

Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti dje në Konferencën Rajonale të Avokatëve të Popullit bëri thirrje që të gjendet zgjidhje për Podgorcën dhe të sigurohen të drejtat e fëmijëve për mësim në gjuhën e tyre, pasi këtë i`a mundëson edhe Kushtetuta e vendit.

“Është obligim kushtetues e ligjor që institucioni, gjegjësisht Ministria e Arsimit të njohë atë mundësi dhe të krijojë kushte që fëmijët të ndjekin mësimin ashtu si ata ndjehen dhe ashti si ata dëshirojnë. Kishte edhe argumente të tjera që për ne nuk qëndronin si për shembull se fëmijët nuk dinë të flasin në gjuhën shqipe e kështu me radhë, ose prindërit e tyre. Kjo bëhet me qëllime politike e kështu me radhë. Rasti si i tillë u politizua deri në atë masë sa që rekomandimet dhe sugjerimet e Avokatit të popullit filluan të zbehen dhe të mos pranohen nga ana e atyre që duheshin të vendosin për rastin konkret”, theksoi Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, duke apeluar që në këtë shkollë sa më shpejt të sigurohet mësimi në gjuhën e kërkuar amtare, duke u bazuar në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe Ligjin për arsim fillor dhe të mesëm.

Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela ka bërë të qartë se mësimi në shqip në Podgorcë do të vijoj dhe askush nuk mund të ndalojë këtë vullnet dhe kërkesë imanente. Ai qëndroi pranë nxënësve të Podgorcës me fillimin e vitit të ri shkollor duke garantuar mësimin e gjuhës shqipe.

”Erdha këtu për të garantuar se unë do të jem bashkë me këta nxënës. Në qoftë se është nevoja ne do t’i sjellim edhe fëmijët tanë të mësojnë në Podgorcë vetëm e vetëm që kjo paralele të gjej rrugën. Unë jam këtu t’i respektoj ligjet në fuqi. Në Kushtetutën e Maqedonisë thuhet se është prindi ai që e vendosë se në çfarë gjuhe do mësoj fëmija e tij. Prindërit e fëmijëve të Podgorcës kanë vendosur të mësohet në gjuhën shqipe”, theksoi kryetari i komunës, Ziadin Sela. Problemi ka arritur edhe në instancat e faktorit ndërkombëtar, ku OSBE disa herë ishte angazhuar për një zgjidhje të pranueshme dhe për zhbllokimin e këtij problemi nga ana e Ministrisë së Arsimit.

Nxënësit dhe prindërit e tyre vazhdojnë të ndjekin procesin mësimor në gjuhën shqipe në këtë shkollë, ku shumica e nxënësve ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase dhe ku pengesat krijohen nga drejtoria e kësaj shkolle, e cila thirret në vendimet e Ministrisë së Arsimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat