Maqedonasit: Shkatërrimi i armëve siriane në Shqipëri, rrezik për ne

Maqedonia

Maqedonasit: Shkatërrimi i armëve siriane në Shqipëri, rrezik për ne

Më: 7 nëntor 2013 Në ora: 22:17

Mediat maqedonase kanë shkruar sot se armët kimike siriane që pritet të shkatërrohen në Shqipëri paraqesin rrezik edhe për Maqedoninë.

E përditshmja “Utrinski” ka intervistuar ekspertë maqedonas të sigurisë të cilët janë shprehur të shqetësuar. “Jo vetëm sistemi ekologjik, por edhe shëndeti i qytetarëve do të jetë në rrezik serioz nga shkatërrimi i armëve kimike siriane”, ka paralajmëruar profesori universitar i sigurisë dhe ish-shefi i shërbimit sekret ushtarak, Vladimir Pivovarov.

Sipas tij, në Shqipëri por edhe në asnjë vend të rajonit nuk ka lokacione të specializuara për asgjësimin e sigurt të armëve kimike.

Mbetjet e rrezikshme nga shkatërrimi mund të shpërndahen shumë lehtë me ndihmën e erërave dhe të largohen me kilomtra të tëra nga epiqendra e shkatërrimit dhe të ndikojnë tek shëndeti i njeriut, gjegjësisht në mushkëritë e bardha.

Qeveria e Maqedonisë sot nuk ka komentuar çështjen e shkatërrimit të këtyre armëve, por kanë nënvizuar se do të presin informacione zyrtare se çfarë do të ndodhë me arsenalin e armëve kimike siriane.

Sipas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, arsenali i armëve kimike të regjimit sirian duhet të transferohet jashtë vendit nga janari i vitit 2014 dhe të shkatërrohet para muajit korrik të vitit 2014. Bëhet fjalë për mijëra tonë armësh kimike. Shqipëria tashmë është locuar si vendi kryesor ku do të bëhet asgjësimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat