PDSH: Me Car Dushanin, BDI-ja shpërbleu votuesit

Maqedonia

PDSH: Me Car Dushanin, BDI-ja shpërbleu votuesit

Më: 4 dhjetor 2013 Në ora: 23:25

Ndërsa BDI-ja, partia shqiptare në qeveri, vazhdon të hesht rreth vendosjes së përmendores së Car Dushanit, partia shqiptare në opozitë PDSH, në një komunikatë me shkrim, ia ka faturuar fajin e ngritjes së saj, tek BDI-ja. Nga partia e Thaçit thonë se më shumë irrituese se sa përmendorja, është vetë heshtja e BDI-së për t’iu aneksuar përgjegjësisë nga kjo përmendore.

“E keqja më e madhe në gjithë këtë situatë, është se ky nuk është fundi! Gjithçka pritet nga këta njerëz, të cilët e kanë shitur prej kohësh interesin shqiptar. Ngrihet pyetja: cili është vrasësi i radhës i shqiptarëve që do t’i ngrihet përmendore. Si ndihen në këtë moment ata që kanë votuar Ali Ahmetin dhe BDI-në, votë të cilën Ali Ahmeti ia shpërbleu shqiptarëve me Car Dushanin. Janë momente reflektimi, se çfarë po ndodh me votën shqiptare dhe legjitimitetin që i referohet Ali Ahmeti” - thuhet në reagimin me shkrim të PDSH-së.

Një ditë më parë, për përmendoren e Car Dushanit reagoi edhe RDK-ja dhe LSDM-ja. Për RDK-në, vendosja e kësaj përmendoreje dëshmon se partitë në pushtet po legjitimojnë pushtimin serb në territoret me shumicë shqiptare. Për LSDM-në, përmendorja është kundërshtuese jo vetëm për sa i përket ideologjisë, por mbi të gjitha rëndon mbi buxhetin dhe hap dyshime të reja mbi shpërdorimet në kuadër të projektit “Shkupi 2014”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat