Kush e solli Car Dushanin?

Maqedonia

Kush e solli Car Dushanin?

Më: 5 dhjetor 2013 Në ora: 00:29

Kush na e solli Car Dushanin? Institucionet e vendit distancohen nga vendosja e përmendores kundërthënëse, duke ia hedhur topin njëra-tjetrës lidhur me autorësinë dhe porositjen e saj. Ministrja e Kulturës Elizabeta Kançevska Mileska mohon të jetë sponsore apo porositëse e përmendores së Carit të Serbisë. Kançevska Mileska nuk ka as idenë më të vogël se kush është porositësi, dhe as për rëndësinë e Stefan Dushanit në historinë dhe kulturën e Maqedonisë, si dhe simbolikën e ngritjes të një përmendoreje të tillë.

“Ministria e Kulturës nuk është as porositës e as ngritëse e përmendores. Iniciativa nuk është ngritur nga ministria e Kulturës. Bëhet fjalë për përmendore të vendosura në urë. Kështu që ata që kanë realizuar urën, si investim të dikujt, aty duhet të drejtoheni. Nuk mund t’ju përgjigjem sepse ne si ministri nuk jemi porositës”, tha Elizabeta Kançevska Mileska, ministre e Kulturës.

Nga Komuna Qendër kujtojnë një vendim nga përbërja e mëhershme e këshillit, që kishte të bënte me 29 përmendore në Urën Sy, por theksojnë se përmendorja e Car Dushanit nuk ka ekzistuar në të.

“Komuna Qendër ose Këshilli i Komunës Qendër ka marrë vendim për vendosjen e 29 përmendoreve në Urën Sy. Në mesin e atyre 29 përmendoreve të përpunuara dhe të paguara nga Komuna Qendër përmes Ministrisë së Financave, nuk është parashikuar përmendore e Car Dushanit”, deklaroi Katerina Canevska, zëdhënëse e Komunës Qendër.

Në të njëjtën urë, përveç Car Dushanit janë ngritur edhe 8 përmendore të tjera pa vendim të Komunës Qendër, dhe momentalisht në urën që lidh qendrën e Shkupit me Gjykatën Kushtetuese numërohen tashmë 38 përmendore. Ministrja e Kulturës Kançevska Mileska nuk e di nëse përmendorja e Car Dushanit mund të jetë ngritur ilegalisht, si ndërtim pa leje.

A do të thotë kjo se bëhet fjalë për ndërtim pa leje?
“Nuk e di, duhet të gjurmoni. Ju jeni gazetarë dhe duhet të gjurmoni” , u përgjigj ministrja e Kulturës Elizabeta Kançevska-Milevska .

Në prill të këtij viti, media të afërta me VMRO DPMNE-në duke iu referuar projektit për vendosjen e përmendoreve në Urën Sy, informonin për 32 përmendore, por nuk përmendnin në mesin e tyre, atë të Car Dushanit. Ndërkaq, pas reagimeve të fuqishme të opinionit, në prill të vitit të kaluar, përmendorja e Simeon Radevit u hoq me arsyetimin se përzgjedhja e figurës së tij, ishte gabim nga autoritetet. Radev rezultoi të ishte burrështetas bullgar dhe pjesëtar i delegacionit bullgar gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Bukureshtit. Atë nuk e lidhte asgjë me Maqedoninë dhe historinë e Maqedonisë, përveç vendit të lindjes. Nuk dihet nëse një fat i tillë mund ta gjejë edhe përmendoren e Car Dushanit, pa mësuar më parë institucionin përgjegjës për vendosjen e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat