Ahmeti : E ardhmja e Maqedonisë, por edhe e tërë rajonit, është anëtarësimi i plotë në NATO dhe në BE

Maqedonia

Ahmeti : E ardhmja e Maqedonisë, por edhe e tërë rajonit, është anëtarësimi i plotë në NATO dhe në BE

Më: 5 dhjetor 2013 Në ora: 09:27

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përfunduar vizitën e tij zyrtare në Norvegji, ku përveç takimeve me zyrtarët norvegjez, ka takuar edhe drejtuesit e Ministrive të Punëve të Jashtme të Danimarkës dhe Suedisë për Politika Evropiane dhe Ballkanin Perendimor, Michael Suhr dhe Ola Svenningsson.

Kjo vizitë, siç thuhet në kumtesën e BDI-së, paraqet vazhdimësi të përpjekjeve të Ahmetit dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim për ta ndihmuar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë.

Edhe në takimet përmbyllëse, Ahmeti theksoi rëndësinë prioritare të procesit integrues EuroAtlantik të vendit tonë dhe rrumbullakësimit të investimit të përbashkët në paqën, stabilitetin dhe sigurinë në vend dhe në rajon me integrimin në Bruksel.

"Çdo vonesë drejt realizimit të këtij synimi sjell vështirësi për vendin si dhe për avancimin e të arriturave të përbashkëta në dekadën e fundit. Komuniteti ndërkombëtar dhe vendet anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian duhet të kyçen në lehtësimin e zgjidhjes së kontestit me fqinjin tonë jugor Greqinë që po mban peng proceset tona integruese", theksoi Ahmeti.

Ai nënvizoi që nuk ka asnjë dyshim se vendet Skandinave mbështesin politikat zgjëruese të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian dhe ftoi autoritetet e këtyre vendeve që të ndihmojnë drejtpërdrejt në përmbylljen e sukseseshme të procesit që udhëhiqet nga ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimic.

"E ardhmja e Maqedonisë, por edhe e tërë rajonit, është anëtarësimi i plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe ky synim paraqet prioritet programor dhe strategjik të Bashkimit Demokratik për Integrim, por edhe në përgjithësi të të gjithë qytetarëve dhe partive politike në vend", tha lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

Të gjithë bashkëbiseduesit e siguruan Ahmetin për mbështetjen e tyre pa rezervë për perspektivat EuroAtlantike të Maqedonisë dhe që vlerësojnë përpjekjet e tij për ta ndihmuar vendin në realizimin e këtij objektivi të rëndësishëm për stabilitetin dhe paqën jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të tërë rajonit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat