BDI - PDSH, akuza për Car Dushanin

Maqedonia

BDI - PDSH, akuza për Car Dushanin

Më: 6 dhjetor 2013 Në ora: 22:18

Më në fund ka reaguar edhe BDI-ja, lidhur me vendosjen e përmendores së Car Dushanit. Ata akuzojnë PDSH-në opozitare se janë përgjegjëse për ngritjen e kësaj përmendoreje, si nënshkruese e projektit Shkupi 2014. Por nga partia e Ahmetit vazhdojnë të mos japin përgjigje nëse si parti në pushtet kanë njohuri apo jo për institucionin që ka porositur përmendoren e Car Dushanit.

“Përmendorja e të ashtuquajturit “Car Dushani” në Shkup si dhe i gjithë projekti “Shkupi 2014” është pjesë e peshqeshit fatkeq që PDSH-ja iu bëri të gjithë shqiptarëve, gjatë kohës kur uzurpoi institucionet e vendit pa vullnetin e shqiptarëve. Shqiptarët po e paguajnë shumë shtrenjtë koston e verbërisë për pushtet të PDSH-së dhe të Menduh Thaçi. E pyesim publikisht PDSH-në që të na tregojnë, neve por dhe gjithë shqiptarëve se, edhe sa “befasi” të tjera kanë planifikuar për shqiptarët deri në vitin 2014; edhe sa përmendore ka miratuar qysh nga viti 2007?”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI-ja gjithashtu është krenuar me përmendoret e 3 veprimtarëve shqiptarë që do të jenë pjesë e projektit Shkupi 2014, edhe pse këto përmendore ende nuk janë vendosur dhe nuk ka ndonjë shpjegim zyrtar për këtë ngecje. PDSH-ja, nga ana tjetër, shfajësimin e tillë të BDI-së e vlerësojnë si ofendim për votuesit e tyre.

“Pas 6 vjetësh në Qeveri, në dy mandate, pas 6 buxhetesh të miratuara nga ana e tyre që me paratë e shqiptarëve financojnë projektin “Shkupi 2014”, sot, pa fije turpi, Ali Ahmeti dhe BDI-ja bënë tentativën e fundit për t'u shfajësuar përpara votuesve të vetë për veprat e qeverisjes me Gruevskin. Kjo e fundit, me vendosjen e përmendores së Car Dushanit përbën kulmin! E kemi parasysh se si ndihen ata që votuan Aliun dhe BDI-në, kur ata ju vendosën “Car Dushanin” dhe shumë "cara" të tjerë në mes të Shkupit. Por ky reagim i sotëm është kulmi i ofendimit që iu bëhet atyre”, qëndron në reagimin e PDSH-së.

PDSH-ja madje ka akuzuar BDI-në si të pafuqishme për të ndaluar ndonjë projekt antishqiptar të VMRO DPMNE-së, e jo vetëm përmendoren e Car Dushanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat