MPB nuk do ti hap kamerat për Car Dushanin

Maqedonia

MPB nuk do ti hap kamerat për Car Dushanin

Më: 8 dhjetor 2013 Në ora: 16:33

Ministria e Brendshme nuk do të procedojë kërkesën publike të kryetarit të Komunës Qendër Andrej Zhernovski për të zbuluar autorët e vendosjes së Car Dushanit, duke hetuar filmimet e kamerave të sigurisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Ivo Kotevski theksoi se policia nuk ka ndonjë kompetencë që, sipas detyrës zyrtare, të zbulojë ndërtuesit e ndonjë përmendoreje. Sipas tij, këtë duhet ta bëjë Komuna Qendër përmes Inspektoratit të Ndërtimit. Kotevski theksoi se i vetmi aktivitet që po kryen policia rreth përmendores së Car Dushanit, është zbardhja e autorëve të dëmtimit të saj. Ndërkohë ka reaguar edhe Partia Liberal Demokrate e Andrej Zhernovskit. Sipas nënkryetares Roza Topuzova Karevska, mos marrja e përgjegjësisë nga asnjë institucion për vendosjen e përmendores, është akt qyqar. Ajo madje shprehi habinë e saj për akuzat e mediave pro qeveritare ndaj mediave të tjera që kanë nisur investigimin e vendosjen e përmendores së Car Dushanit.

“Pas ngjarjeve të djeshme të pahijshme, në vend që të kërkojnë përgjegjësi tek ata që udhëheqin shtetin, megafonat e pushtetit, përgjegjësinë për dëmtimin e përmendores së Car Dushanit e kërkojnë tek kolegët e tyre gazetarë dhe opozita, të cilët sipas tyre paskan bërë thirrje për vandalizëm. Pyesim, a ka vandalizëm më të madh se sa rrënimi i dinjitetit të popullit, i cili iu ka dhënë besimin në votime”, tha Roza Topuzova Karevska, Nënkryetare e PLD-së.

Edhe sot policia ishte e pranishme përreth përmendores së Car Dushanit, për të parandaluar ndonjë dëmtim eventual. Rreth mesditës, një qytetar iu afrua përmendores, flamurin në njërën dorë, ndërsa çekiçin në dorën tjetër për ta thyer atë, por u ndalua nga forcat e sigurimit. Ndërkohë vazhdon të mbetet mister vendosja e Car Dushanit, duke pasur parasysh se asnjë institucion nuk ka marrë vendim për vendosjen e përmendores, dhe të gjitha institucionet që kanë kompetenca për këtë proces, e kanë mohuar autorësinë e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat