Plaku me çekan e flamur - ia mësyn Car Dushanit

Maqedonia

Plaku me çekan e flamur - ia mësyn Car Dushanit

Më: 8 dhjetor 2013 Në ora: 17:23

Vazhdojnë reagimet dhe pakënaqësitë lidhur me vendosjen e përmendores së Car Dushanit. Sot rreth mesditës, një qytetar me flamur në krah e çekan në dorë ka dalë para përmendores në shenjë proteste, por forcat e policisë kanë penguar kontaktin me përmendoren e Car Dushanit. Ndërkohë, edhe sot policia ishte e pranishme përreth përmendores së Car Dushanit, për të parandaluar ndonjë dëmtim eventual. Kanë vazhduar edhe reagimet politike rreth përmendores së Car Dushanit. Ish kryeministri Ljubço Georgievski theksoi se janë të pritura reagimet e shqiptarëve kundër kësaj përmendoreje.

“Për ne është i arsyeshëm reagimi i shqiptarëve, por nuk është e arsyeshme heshtja e atyre strukturave të cilat në dy vitet e fundit u mbytën duke na treguar se sa e mbrojnë identitetin maqedonas”, tha Ljubço Georgievski, VMRO PP.

Sipas nënkryetares së PLD-së Roza Topuzova Karevska, mos marrja e përgjegjësisë nga asnjë institucion për vendosjen e përmendores, është akt qyqar.

“Pas ngjarjeve të djeshme të pahijshme, në vend që të kërkojnë përgjegjësi tek ata që udhëheqin shtetin, megafonat e pushtetit, përgjegjësinë për dëmtimin e përmendores së Car Dushanit e kërkojnë tek kolegët e tyre gazetarë dhe opozita, të cilët sipas tyre paskan bërë thirrje për vandalizëm. Pyesim, a ka vandalizëm më të madh se sa rrënimi i dinjitetit të popullit, i cili iu ka dhënë besimin në votime”, u shpreh Roza Topuzova Karevska.

Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme bëri të ditur se nuk do të procedojë kërkesën publike të kryetarit të Komunës Qendër Andrej Zhernovski për të zbuluar autorët e vendosjes së Car Dushanit, duke hetuar filmimet e kamerave të sigurisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Ivo Kotevski theksoi se policia nuk ka ndonjë kompetencë që, sipas detyrës zyrtare, të zbulojë ndërtuesit e ndonjë përmendoreje. Sipas tij, këtë duhet ta bëjë Komuna Qendër përmes Inspektoratit të Ndërtimit. Kotevski theksoi se i vetmi aktivitet që po kryen policia rreth përmendores së Car Dushanit, është zbardhja e autorëve të dëmtimit të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat