BDI-ja nuk zotëron të dhëna për numrin e vullnetarëve shqiptarë të punësuar

Maqedonia

BDI-ja nuk zotëron të dhëna për numrin e vullnetarëve shqiptarë të punësuar

Më: 16 prill 2015 Në ora: 00:59

BDI-ja, akoma pa të dhëna rreth vullnetarëve shqiptarë që kanë marrë vendime të rregullta pune deri më sot, që nga miratimi i ligjit në muajin shkurt. Ndonëse pak ditë më parë, nga partia e Ahmetit paralajmëruan se numrin e saktë të personave që kanë marrë vendime në fazën e parë të punësimeve do ta ofronin këto ditë, akoma asgjë informatë. BDI-ja, në një deklaratë me shkrim thekson se këto të dhëna do të dihen pas përfundimit të procesit.

“Realizimi i fazës së parë të këtij ligji filloi menjëherë pas miratimit të tij... ndërsa të dhënat e plota dhe të sakta do të jepen në momentin e përfundimit të këtij procesi”, thonë nga BDI.

Nga ana tjetër, nga BDI-ja shtojnë se numri i shqiptarëve që do të marrin vendime, deri në shtatorin e ardhshëm, do të jetë 800.

“Sipas të dhënave të deritanishme vetëm në institucionet shëndetësore rreth 350 shqiptarë të cilët kanë punuar prej vitesh si vullnetarë, do të marrin vendime pune, ndërsa në Çerdhet në Komunat e Çairit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe Strugës si dhe në institucionet arsimore, do të marrin mbi 300 shqiptarë. Pra, të gjithë ata persona që i plotësojnë kushtet në bazë të këtij ligji do të gëzojnë vendime pune”, theksojnë nga BDI-ja.

Ndërkohë që BDI-ja nuk mund të ofrojë të dhëna mbi vendimet për punësim të rregullt të shqiptarëve, Alsat mësoi se vetëm gjatë javës së kaluar 200 persona kanë marr vendime për marrëdhënie të rregullt pune nëpër institucione të ndryshme, por asnjëri prej tyre nuk ishte shqiptar. Në burgun e Shutkës u pranuar 6 persona, por asnjëri nga ato nuk është shqiptar. Në burgun e Idrizovës vendime pune kanë marrë 17 persona, por asnjë shqiptar. Në Gjykatën e Apelit vendime kanë marrë 12 persona por asnjëri nga ata shqiptar. Në Pyjet e Maqedonisë vendime kanë marrë mbi 30 persona po as në mesin e tyre, asnjë shqiptarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat