Azemi:Qeveria (jo donatorët) duhet t’ua ndërtojë shtëpitë kumanovarëve

Maqedonia

Azemi:Qeveria (jo donatorët) duhet t’ua ndërtojë shtëpitë kumanovarëve

Më: 12 maj 2015 Në ora: 09:29

Shqiptarët nuk kanë nevojë të shpejtojnë me ndihma për banorët e dëmtuar të Kumanovës, para se këtë ta ketë bërë qeveria e Gruevskit dhe Ahmetit.

Fatura për të gjitha shkatërrimet, traumat, shqetësimet duhet t’i shkojnë kësaj qeverie. Ajo është përgjegjëse për gjithë atë që ndodhi dhe do të ishte një shfajësim dhe shkarkim barre i saj nëse tani ngutemi dhe organizojmë ndihma dedikuar rimëkëmbjes së jetës në këtë pjesë të qytetit të Kumanovës.

Jo se shqiptarët nuk janë solidarë dhe humanë, por kësaj radhe nuk do të duhej lejuar që me solidaritetin e tyre dikush të tallet, madje duke i mveshur një dozë naiviteti gatishmërisë tonë për të bërë atë që do të duhej bërë fillimisht vetë qeveria.
Edhe shqiptarët janë taksapagues të këtj shteti dhe do të ishte jonormale nëse paratë e tyre do të përdoreshin njëanshëm për të financuar makinerinë vrastare të Gruevskit, pikërisht atë që për 30 orë rresht mbajti nën tytën e vdekjes mijëra gra, fëmijë, pleqë e të rij të Kumanovës.

Ajo që aktualisht kërkohet nga banorët lokalë dhe sidomos ekspertët që merren me vlerësimin e dëmeve, është evidentimi me përpikmëri i gjithë asaj që mungon dhe që është shkatërruar, përfshi shtëpitë dhe infrastrukturën përcjellëse.

Vetëm atëherë kur do të bëhej ky vlerësim i detajuar do të pasonte faturimi në arkën e qeverisë Gruevski-Ahmeti, për sa i përket dëmeve materiale, kurse sa i përket maltretimeve e terrorit psikologjik, do të duhej një deponim bukur i rrast në formë aktpadie në gjykatat vendore dhe ato ndërkombëtare.

Nëse shpejtohet me organizimin vullnetar të dhënies së ndihmave (ashtu siç e kanë merak dofarë aktivistash provincialë), do të arrihen dy efekte negative që asnjë banor i dëmtuar i Kumanovës nuk do të duhej t’i ndodhnin: e para, do të përjashtohej përgjegjësia institucionale e qeverisë për zhdëmtimin e banorëve dhe, e dyta, nuk do të kishte efekt kurrfarë procesi gjyqësor nëse shqiptarët shpejtojnë dhe i ndërtojnë vetë shtëpitë, para se të bëhej një ekspertizë e detajuar, si provë materiale për krimin e kryer nga ana e shtetit.

Kohë edhe shansë për solidaritet do të ketë mjaftueshëm, nëse shteti dështon me kompensimin e asaj që vetë e ka shkaktuar, andaj skemi nevojë të bëjmë ndonjë hap të pamenduar mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat