Qeveria 9 vjeçare e Gruevskit para “shpartallimit”!

Maqedonia

Qeveria 9 vjeçare e Gruevskit para “shpartallimit”!

Më: 13 maj 2015 Në ora: 11:21

VMRO-DPMNE-ja filloi ti numërojë ditët e saj të fundit në pushtet. Kryeministri Nikolla Gruevski mbrëmë pranoi tre dorëheqjet e para edhe atë të dy ministrave më të përfolur në bombat e Zaevit, ministren Jankullovska dhe ministrin Janakievski dhe shefi i policisë sekrete Sasho Mijallkov.

Këta tre persona fillimisht ishin koka e krimit, korrupsionit dhe rasteve të montuara politike e deri në fshehjen e likuidimit të gazetarit Mlladenolv, të riut Neshkovski, rastit Monstra të cilat ishin të koordinuar me kryeministrin Gruevski dëshmi të cilat i publikoi Zaev.

E gjithë kjo situatë e tensionuar kulmin e vet e arriti me aksionin policor në Kumanovë ku u vranë tetë policë ndërsa askush nuk mori përgjegjësi për atë se si mundet të dërgohen aq forca policore në një lagje urbane të Kumanovës, të vriten policë dhe të plagosen mbi 30 të tjerë.

Kjo situatë dramatike kulmin e pati në Kumanovë kur gjithë diplomacia ndërkombëtare e akredituar në Shkup përmes ambasadorit amerikan Bejli i tha shkurt Gruevskit pa fjalor diplomatik “Ju nuk keni bërë asgjë për hetimet e bombave të Zaevit, e dimë përfshirjen e funksionarëve të qeverisë në shumë raste të montuara, përfshirë edhe Kumanovën”.

Ai si duket e ka paralajmëruar Gruevskin se nëse nuk ndalet me rastet e montuara atëherë Maqedonia kërcënohet nga një luftë civile, andaj Gruevski nën presionin ndërkombëtar dje bëri hapin e parë, shkarkoi tre bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Me këtë Gruevski nga njëra anë dëshiron ti tregojë faktorit ndërkombëtar se i dëgjon rekomandimet e tyre ndërsa nga ana tjetër dëshiron të amortizojë pakënaqësinë gjithëpopullore në Maqedoni, të cilët orë e çast janë nëpër rrugët e qyteteve duke shprejur revoltën dhe pakënaqësinë ndaj kësaj qeverie, e cila është e involvuar në krim, korrupsion, vrasje dhe raste të tjera të montuara politike.

Analistët për Zhurnal deklarojnë se Gruevski nuk mund të gjejë më shpëtim për të mbetur në krye të qeverisë. Analisti politik Jove Kekenovski vlerëson se nuk mjafton vetëm dorëheqja e disa ministrave por dorëheqje tani duhet të japë edhe kryeministri Gruevski.

“Nëse, sot, nesër ose pasnesër Gruevski nuk jep dorëheqje atëherë ai do të ballafaqohet me protesta edhe më masovike të popullit. Dorëheqjet e ministrave vetëm do ti inkurajojnë qytetarët që edhe më tepër të dalin në protesta kundër këtij pushteti. Gruevski është i involvuar në të gjitha këto krime dhe skandale të cilat i publikoi opozita maqedonase dhe ai fillimisht duhet të bart përgjegjësi politike e më pas organet e drejtësisë të vërtetojnë se në cilat raste ai është i përfshirë”, deklaroi për Zhurnal, analisti politik Jove Kekenovski.

Sipas tij, deputetët në Parlament e në veçanti deputetët e BDI-së duhet të dëshmojnë veten nëse janë të shqetësuar për këtë situatë nëpër të cilën po kalon vendi e jo të votojnë ndonjë rikonstruktim të Qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat