Protestuesit: Duam qeveri që frikësohet prej nesh, e jo ne nga ajo! (Foto)

Maqedonia

Protestuesit: Duam qeveri që frikësohet prej nesh, e jo ne nga ajo! (Foto)

Më: 13 maj 2015 Në ora: 18:53

(E plotësuar) Në mënyrë të qetë përfundoj edhe protesta e nëntë para Parlamentit, ku qytetarët edhe një herë shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kërkuan dorëheqje jo vetëm të disa funksionarëve, por të gjithë qeverisë, si dhe përgjegjësi për krimet që publikohen në ‘bombat’ e opozitës, dhe ngjarjet e fundit që ndodhën në Kumanovë. Sërish u paralajmërua që protestat do të zhvillohen edhe nesër, në të njëjtën kohë, në orën 18 para Qeverisë.

21.00- “Pyetem se çka do të ishte ndryshe, sa më e mirë do të ishte mënyra e jetesës, nëse Jankullovska do të jepte dorëheqje kur ne ia kërkonim. Megjithatë ajo e mbrëmshmja nuk është e mjaftueshme. Ne do të protestojmë çdo ditë me fillim në orën 18.00 deri atëherë kur kjo qeveri të tërhiqet. Ne nuk kërkojmë vetëm përgjegjësi politike por edhe përgjegjësi kriminale”, tha Aleksandar Donev, aktivist i lëvizjes “Protesto”.

“Duam qeveri e cila frikësohet prej nesh e jo ne prej asaj. Për shkak të dorëheqjeve të mbrëmshme askush nuk mund të thotë se kemi protestuar kot”, shtoi Donev.

20.40- Të kapur për duar protestuesit para Parlamentit dhanë porosinë: Së bashku jemi më të fortë!

20.25- “Lëshoni fëmijët, mos kuroni komplekse te ata”, “Maqedonia duhet me dorëheqje”, “Shkatërruar popullin, shkatërruat shtetin”, “Lamtumirë Nikolla”, brohorisin protestuesit.

Vazhdon protesta para Parlamentit

20.00- Marshi protestues arrin para Parlamentit dhe vazhdon të kërkohet dorëheqje. Protesta për momentin po zhvillohet në mënyrë të qetë. Protestuesit apelojnë që të ruhet qetësia dhe të protestohet në mënyrë demokratike.

19.45- Marshi protestuesi niset drejt Parlamentit ku edhe do të zhvillohet protesta kundër pushtetit. Qytetarët thonë se qeveritarët duhet të largohen dhe të dorëhiqen për të mirën e Maqedonisë, sepse me vjedhjet dhe krimet që kanë bërë, kanë shkatërruar demokracinë në vend.

19.20- Mijëra qytetarët para Gjykatës Themelore, ku bërtasin duke kërkuar dorëheqje të kryeministrit Gruevski, në pankarta kanë shkruar “Me tre ‘lule’ nuk çel pranvera”, duke aluduar në dorëheqjet e tre funksionarëve, “Kërkojmë lirimin e studentëve”, “Dorëheqje”.

19.10- Marshi protestues ka arritur të Shtëpia e Mallrave “Most”, tani objekti i UEJL-së. Më pas do të nisen drejt Parlamentit ku edhe do të zhvillohet protesta.

18.50- Qytetarët nisen drejtë Gjykatës Themelore, duke kërkuar kështu dorëheqjen e kryeministrit të cilin duke brohoritur e quajnë “Diktator” dhe thonë “Lamtumirë Nikolla”.

Policia bllokon rrugën para qeverisë

Qytetarët filluan të mblidhen në afërsi të qeverisë për të protestuar kështu për të nëntën radhë kundër pushtetit duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Edhe kësaj radhe policia ka bllokuar rrugën duke penguar kështu që protesta të zhvillohet para qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat