Opozita në Maqedoni zotohet të mos heqë dorë (Foto/ Video)

Maqedonia

Opozita në Maqedoni zotohet të mos heqë dorë (Foto/ Video)

Më: 17 maj 2015 Në ora: 06:59

(E plotesuar) - Mbi 200 anëtarë dhe simpatizantë të opozitës maqedonase, LSDM-së, natën e kanë kaluar para qeverisë së Maqedonisë duke fjetur në tendat e ngritura në bulevardin para ndërtesës së ekzekutivit, pas përfundimit të protestave të djeshme gjith popullore të cilat u organizuan para qeverisë.

Në mesin e protestuesve, që e kaluan natën në tenda para qeverisë, ka qëndruar dhe lideri i opozitës Zoran Zaev, i cili për Radion Evropa e Lirë është shprehur se se protesta e paraqet një vlerë të panjehsueshme sa i përket masivitetit, por gjithsesi edhe përbërjes multietnike dhe multifetare.

“Ne do të qëndrojmë këtu edhe gjatë ditës së nesërme, nuk do të shkojmë në asnjë lokacion tjetër dhe kjo paraqet një garanci. Ne sot dërguam një porosi shumë të rëndësishme, se këtu jeton një popull paqedashës i cili di të vlerësojë demokracinë po edhe vlerat demokratike”, është shprehur Zoran Zaev mbrëmjen e kaluar, teksa vendoseshin tendat para qeverisë, duke theksuar se nuk do të largohet deri në rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski.

Qyetarët e ardhur nga më shumë qytete të Maqedonisë janë shprehur të vendosur se do të qëndrojnë para qeverisë deri kur të japë dorëheqje kryeministri Nikolla Gruevski.

“Nuk mund ta kuptoj si mund të qëndrojë akoma dikush brenda në Qeveri, përderisa populli brohoret kundër tij i mllefosur, për ccfarë pushteti mund të bëhet fjalë pos për një diktaturë”, thotë një qyetar, i cili kishte ardhur nga Kavadarci.

“Natën e kemi kaluar këtu bashkë, maqedonas, shqiptarë, turq, dhe do të qënrojmë gjesa të shkojë ky kryeministër, sepse ne duam një Maqedoni qytetare, një Maqedoni e cila do të ndërtohet mbi vlerat demokratike dhe jo ato partiake, një Maqedoni e cila do t'i ketë institucionet në shërbim të qyetarëve dhe jo e kundërta”, është shprehur Sasho Trajkov, nga Vinica,.

Ndërkohë, Emreh nga Kumanova thotë se pika fillimit të revoltës ndaj kësaj qeverie për të kanë qënë zhvillimet në Kumanovë një javë më parë.

“Qëllimi ynë është që të largohet kjo Qeveri. Unë personalisht kërkoj që e gjith kjo përbërje qeveritare të largohet për më shumë gjëra që ka bërë gjatë 9 viteve të kaluara veçanërisht aksioni në Kumanovë”, thotë Emreh.

Ndryshe, rruga në të cilën janë vendosur tendat është e mbyllur, ndërsa protestuesit mbikëqyren nga forca speciale të policisë të cilat janë përqendruar përgjatë hyrjes së ndërtesës së qeverisë.

​Kalojnë natën para Qeverisë, presin dorëheqjen e Gruevskit

Qindra qytetarë kanë mbetur sonte para Qeverisë në Shkup, për ta vazhduar në këtë mënyrë protestën me kërkesë për dorëheqje të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kabinetit të tij.

Paraprakisht, pas përfundimit të protestës së madhe antiqeveritare, në bulevardin “Ilindenska” para Qeverisë dhe në sipërfaqet e gjelbra përreth, u vendosën tenda, dhe thasë gjumi, pasi që nga foltorja e protestës u porosit se qytetarët nuk do të largohen prej aty deri sa të largohet Gruevski.

Tërë udhëheqësia e Lidhjes opozitare Socialdemokrate të Maqedonisë, me në krye liderin Zoran Zaev, do ta kalojnë natën me qytetarët para Qeverisë.

Ndërkohë, një kontraprotestë, për nesër ka paralajmëruar partia në pushtet VMRO-DPMNE, në përkrahje të liderit të saj, Gruevskit.

Vendosen tendat para Qeverisë, nuk largohen deri sa të rrëzohet Gruevski

“Erdhëm pas të ardhmes tonë. Gruevski mos e zgjat më shumë edhe vet e sheh se mbaroi puna jote. Ik”, tha fillimisht në fjalimin e tij kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev në protestën e sotme që është mbajtur dhe vazhdon të mbahet para qeverisë në Shkup.

“U mundua e vërteta që ta shohë dritën e ditës. U munduam edhe ne një dekadë të plotë që t’i ndihmojë asaj të dalë në skenë. U derdh e vërteta nëpër fjalë, dhe tani shikoni, ka nxjerrë lumenj nëpër rrugët e Shkupit dhe nëpër të gjithë Maqedoninë. Nga pozita e kryeministrit, e kemi dëgjuar se sa ashpër është konfrontuar me ata që kanë pasur mendim ndryshe, i ka dënuar dhe i ka vjedhur qytetarët, ka vjedhur zgjedhjet, është vendosur në polici dhe gjykata, ka urryer dhe nëpërmjet institucioneve është hakmarrë, e ka shkelur Kushtetutën, i ka keqpërdorur shërbimet e sigurisë dhe administratën, edhe për emrin e shtetit fshehuarzi ka bërë tregti”, tha Zaev.

Në orët e pasdites, masës së tubuar në protestën gjithëpopullore para Qeverisë në Shkup, iu drejtua lideri i opozitës, Zoran Zaev.

Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate tha se ka ardhur koha që kryeministri Nikolla Gruevski, përfundimisht të ikë nga pushteti.

“Gruevski i ka orët e numëruara dhe çdo moment duhet të braktisë ndërtesën e Qeverisë”, deklaroi Zaev.

Studentja shqiptare kalli protestuesit, shqiptarët krenarë në protestë

Nga plenumi i studentëve foli edhe studentja shqiptare ku sapo përshëndeti në gjuhën shqipe brohoritjet dirdhën Shkupin. Ajo tha se jemi kët për një Maqedoni të mirë e jo për të mbështetur partit politike.
Fjalimin e studentes 21 vjeçare shqiptare mund ta ndiqni në minutën e 22.

Protesa masive, Gruevski i ka orët e numëruara

Pas protestave masive për dorëheqjen e qeverisë së Nikolla Gruevskit, filloi edhe vendosja e tendave ashtu siç paralajmëroi edhe partia opozitare maqedonase.

Me makina dhe kamionë janë sjellë mijëra shtretër, thasë për gjumë dhe tenda për fazën e dytë të protestës së përhershme.

Tani siç duket ka filluar vendosja e kampit në vet bulevardin para Qeverisë dhe në vendet me barë ku aktivistët do të kampojnë deri në dorëheqjen e qeverisë.

***

Protesta e së dielës, organizuar nga opozita maqedonase dhe shoqëria civile, ku morën pjesë mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e Maqedonisë, ishte e qetë dhe pa incidente.

Protesta u karakterizua me një pjesëmarrje masive të qytetarëve maqedonas, shqiptarë dhe pjesëtarë të të gjitha bashkësive tjera etnike.

Në orët e pasdites, masës së tubuar në protestën gjithëpopullore para Qeverisë në Shkup, iu drejtua lideri i opozitës, Zoran Zaev.

Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, tha se ka ardhur koha që kryeministri, Nikolla Gruevski, përfundimisht të ikë nga pushteti.

“Gruevski i ka orët e numëruara dhe çdo moment duhet të braktisë ndërtesën e Qeverisë”, deklaroi Zaev.

Ai akuzoi Qeverinë për veprimtari kriminale, falsifikim të zgjedhjeve, dhunë ndaj institucioneve dhe ndaj qytetarëve përmes shantazheve të ndryshme.

“E vërteta për Maqedoninë ka dalë në sipërfaqe dhe kjo dëshmohet edhe me rrugët e Shkupit të mbushura me njerëz. Ne kemi vendosur të kthejmë demokracinë. Ky muaj do të hyjë në histori për kthesën e re të Maqedonisë. Do të vendosin sundimin e ligjit. Këtë po e bëjmë me të gjithë qytetarët pa dallim përkatësinë e tyre etnike dhe fetare”, theksoi Zaev duke kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit, drejtuesve të televizionit shtetëror dhe të gjithë funksionarëve të përfshirë në aferën e përgjimeve.

Ai tha zgjidhja e vetme për krizën politike është formimi i qeverisë kalimtare dhe përgatitja e vendit për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Zaev tha se nuk do të ketë tërheqje pa vendosjen e rendit dhe ligjit në Maqedoni, duke shtuar se një gjë e tillë do të arrihet vetëm me largimin e Nikolla Gruevskit.

Folësit e deritashëm drejtuan kritika të ashpra ndaj Qeverisë për, siç thanë, krimet që janë zbardhur nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, për dhunën dhe frikën që po praktikohet nga regjimi i kryeministrit Gruevski.

Ata thonë se protesta e sotme është shans për një fillim të ri në Maqedonisë, për kthimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

Protesta po ndiqet edhe nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa vërehet edhe prani e madhe e forcave speciale të policisë që po sigurojnë objektin e Qeverisë.

“Gruevski ik”,”Lamtumirë Nikolla” “Poshtë Qeveria kriminale”, “Protestoj”, janë vetëm disa nga parullat që po mbajnë protestuesit në duar.

Milçin: E duam Maqedoninë, por jo edhe Gruevskin

Maqedonia, nëna ime, a e sheh se sa njerëz të duan sot dhe këtu? Nikolla Gruevski, dushmani i jonë, a e sheh, dhe a e dëgjon se sa njerëz nuk të duan? Ik, porositi regjisori Vladimir Milçin.

“Jam i bindur se nëse nuk na dëgjon, dikush do t`ia përcjell lajmin e hidhur, se të duhet Maqedonia është e kundërta e asaj që të duhet Nikolla Gruevski.

Premtuam dhe erdhëm, ja ku jemi. Erdhëm edhe përskaj të gjitha presioneve, pengesave, etiketave, kërcënimeve dhe gënjeshtrave.

Erdhëm të uritur për liri”, tha ndërmjet tjerash Milçin

Pjesmarrje masive e shqiptarëve

Qytetarët presin që epilogu nga protestat e sotme masive të jetë dorëheqja e qeverisë në krye me Nikolla Gruevskin. Disa prej tyre që në shumë të madhe ishin shqiptar, kërkojnë dorëheqje edhe nga lideri i BDi-së Ali Ahmeti.
Shpresojnë që shqiptarët do të ketë një pozitë më të mirë në të ardhmen me rënin e pushtetit aktual. Në mesin e protestuesve kishte edhe qytetarë të moshuar që megjithë klimën mjaftë të ngrohtë kishin ardhur për të shprehur mbështetjen e tyre në lidhje me dorëheqjen e qeverisë.

Intervistat në gjuhën shqipe pas sekondës së 50.

Opozita: Janë mbi 100 mijë protestues

Zëdhënësi i partisë opozitare LSDM Patar Shillegov thotë se në protestë marrin pjesë mbi 100 mijë protestues.

Ai thotë se populli do të qëndrojë para Qeverisë deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Dorëheqja nuk është larg dhe populli do të qëndrojë këtu”, ndërsa theksoi se shprehet i kënaqur edhe me pjesëmarrjen e shqiptarëve.

Shqiptarët edhe më shumë po i bashkëngjiten protestave para Qeverisë. Rrugët janë të mbushura me flamuj kuq e zi, nga qytetarë që nisen drejt Qeverisë.

Poposki: Protestoj për të gjitha padrejtësitë në Maqedoni

Regjisori Aleksandar Poposki fjalimin e tij e nisi me replikën “Ka diçka të sëmurë në shtet dhe për këtë arsye duhet që të shërohet”.

“Unë sot qëndroj në anën e njerëzve të cilët po qëndrojnë në anën e Maqedonisë më të mirë. Kur u paraqit brigada e parë protestova, kur e mbytën Martin Neshkovskin protestova, kur i prenë drutë protestova, kur e mbyllën Kezharovskin protestova, kur i nxorët me dhunë gazetarët nga Parlamenti protestova, kur i nxorët me dhunë deputetët nga Parlamenti protestova.

Kur e ndërpret autonominë e universiteteve protestova. Kur donit që Qendrën Tregtare ta shndërroni në barok, protestova. Kur u vranë policët protestova.

Kur shkollarët e mesëm protestuan, protestova. Kur donit që t`i mbyllnit studentët protestova. Protestoj për të gjitha padrejtësitë në Maqedoni”, tha Poposki.

Plenumi studentor: Mjaft na mashtruat

Studentët asnjëherë nuk do të janë robër. Ne nuk kemi plumba prej gomës, por kemi vetëm libra dhe lule.

Këtu nuk jemi për të mbështetur ndonjë opsion politik, por mendojmë se është me rëndësi ajo që thuhet e jo kush e thotë, thanë biseduesit nga Plenumi studentor, në protestën e sotme.

“Prej gjithçka që kërkuam morëm vetëm dyer të mbyllura të institucioneve si dhe miqtë dhe familjarët tanë po i dërgojmë në aeroport në udhëtim një kahesh. Kriminel, vrasës, dyfytyrësh do të bëni gjithçka për të qëndruar në pushtet.

Gjenerata e jonë është e dëmtuar nga tranzicioni i vazhdueshëm. Kur u ulëm me ju të bisedojmë ju menduat të na mashtroni dhe jo të na kuptoni, për këtë arsye sot jemi këtu, për të ju thënë se është mjaft”, thanë studentët.

Zaev:Protestat vazhdojnë deri në rrëzimin e Gruevskit

Sapo ka arritur lideri i LSDM-së Zoran Zaev para qeverisë ku pritet të dale para mijra qytetarëve për largimin e Gruevskit nga pushteti.

Zaev po kërkon largimin e Nikolla Gruevskit nga pozita e Kryeministrit.

Ai ka thënë se kjo protestë nuk përfundon pa u rrëzuar Qeveria dhe pa dhënë dorëheqje Gruevski.

Richard Howitt, deputeti dhe ish-raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, po ashtu ka mbërritur në protestën masive, ku po ashtë merr pjesë edhe ish-kryeministri bullgar, Sergei Stanishev.

Në protestën e sotme para qeverisë fjalim do të mbajnë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ish kryeministri bullgar, Sergei Stanishev, dhe Knut Flekenshtajn, nënkryetar i grupit socialist në Parlamentin Evropian.

Siç njoftuan nga LSDM-ja, aty do të flasin intelektualë dhe përfaqësues të OJQ-ve .

Në protestën e sotme janë një prani e madhe e mediumeve ndërkombëtare, CNN, BBC, Associated Press dhe shumë televizione tjera nga Evropa. Po ashtu shtetet e rajonit me shumë vëmendje do ta ndjekin protestën e sotme të opozitës e cila për herë të parë në histori organizon një protestë gjithëpopullore kundër kryeministrit aktual Nikolla Gruevski.

Me mijëra protestues anti-qeveritar tashmë janë mbledhur në Shkup, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Turmat pushtuan sheshin qendror para zyrës së Qeverisë së Gruevskit, ku shumë prej tyre kanë arritur me autobusë nga qytete jashtë kryeqytetit, duke valuar flamurin maqedonas, raporton Reuters.

Liderët opozitarë thonë se disa protestues po planifikojnë të ngrenë kampe në rrugë, deri në dorëheqjen e Gruevskit, duke e akuzuar atë për shtypje të demokracisë, pas zbulimit të përgjimeve telefonike për të cilat Perëndimi thotë se kanë vënë në dyshim demokracinë shtetërore të Maqedonisë.

Gruevski, pas nëntë vjetësh në pushtet dhe deklarimit se nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje, ka ftuar për një tubim të tijin në Shkup për të hënën mbrëma.

Edhe pse partitë politike shqiptare nuk bënë thirrje për protesta dhe nuk morën vendimin për përkrahjen e tyre, megjithatë qytetarët shqiptarë kanë vendosur qe të dalin dhe të protestojnë kundër qeverisë aktuale, transmeton Portalb.

*********************************************
Qytetarë të shumtë janë duke shkuar drejtë cakut të protestës së sotme, ndërtesë së Qeverisë së Maqedonisë.

Protesta ka nisur nga kompleksi i gjykatave në Shkup. Protestuesit për momentin janë duke ecur kah qendra “Mavrovasja”, në drejtim të objektit të Qeverisë, njoftojnë reporterët e gazetës KOHA nga terreni.

Në duart e protestuesve shihen të ngjitur flamur shqiptarë, maqedonas dhe turq, por edhe të nacionaliteteve të tjera. Në rrugë e sipër protestuesve u bashkëngjiten qytetarë të tjerë, ndërsa dëgjohen brohoritma dhe pankartat me kërkesën për “Dorëheqje”.

Ambasadorët e huaj do ta prijnë protestën në Shkup

Për shkak të protestave gjithë-popullore në Maqedoni në Shkup ambasador dhe ish ambasador të huaj do të jenë në radhët e para të protestës.

Prezencën e ka paralajmëruar Ervan Fuere dhe shumë ambasador të huaj të akredituar në Maqedoni.
Me këtë garantohet se protestat do të jenë të qeta dhe demokratike ku qytetarët e Maqedonisë për herë të parë në histori do të kenë mundësin që të shprehin pakënaqësinë e tyre në mënyrë të qetë dhe të sigurtë ndaj qeverisë së kryeministrit, Nikolla Gruevski që dyshohet sipas opozitës se është i përfshirë në vrasje, krim dhe korrupsion.

Opozita akuzon se Nikolla Gruevski cdo herë inskenon konflikte mes maqedonasve dhe shqiptarëve me qëllim që të defokusoj vëmendjen e opinionit, në këtë linjë ishte edhe incidenti i fundit në Kumanovë ku u vranë 8 polic të njësiteve speciale.

Maqedonia rrezikon ta humb rekomandimin për antaresim në BE, pasi politikat e qeverise aktuale te Nikolla Gruevskit jane në kundërshtim me vlerat evropiane. Sipas opoztes, Gruevski dhe kushërinj tij Sasho Mijallkov kontrollojnë mbi 50 përqind te biznesit ne Maqedoni dhe nuk janë te interesuar qe Maqedonia te anëtarësohet ne Bashkimin Evropian.

Sot, protesta masive për rrëzimin e Gruevskit

Opozita maqedonase sot (e diel, 17 maj) do të mbajë protestën masive në Shkup për largimin e qeverisjes aktuale të kryeministrit Nikolla Gruevski.

Mijëra aktivistë dhe simpatizantë të partive opozitare maqedonase, përfaqësues dhe përkrahës të shoqërisë civile maqedonase dhe shqiptare, qytetarë të komuniteteve të ndryshme kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë protestë që nis në ora 14.00.

Drejtues lokalë të opozitës kanë theksuar se kanë probleme dhe pengesa në transportimin e protestuesve drejt Shkupit.

Protesta do të organizohet para Qeverisë, ndërsa lideri i opozitës, Zoran Zaev, ka theksuar se nuk do tërhiqen nga protestat dhe se do të qëndrojnë të ngujuar para Qeverisë deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Forca të mëdha policore kanë shtuar masat e sigurisë për protestën, ndërsa edhe opozita maqedonase ka bërë të gjitha përgatitjet për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.

Në protestën e opozitës do të marrin pjesë përfaqësues të korit diplomatik në Maqedoni, ish-ambasadorë të vendeve europerëndimore, eurodeputetë dhe përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë, të cilët përkrahin përpjekjet e opozitës për rikthimin e demokracisë dhe besimin tek institucionet, pas aferës së përgjimeve e cila nxjerr në sipërfaqe kontrollin e fuqishëm të shtetit nga ana e klikës aktuale shtetërore.

Ndërkohë, partia në pushtet VMRO-DPMNE, për të hënën ka paralajmëruar një kundër-protestë, e cila ka në shënjestër opozitën dhe, siç thuhet, “tentimin e saj për të destabilizuar vendin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat