Vazhdon sot publikimi i “bombave” të opozitës

Maqedonia

Vazhdon sot publikimi i “bombave” të opozitës

Më: 8 qershor 2015 Në ora: 07:09

Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev ka paralajmëruar se do të vazhdojë prej sot me publikimin e audi-incizimeve të bisedave të përgjuara nga ana e pushtetit të Maqedonisë, respektivisht të ashtuquajturat “bomba”.

Zaev ka zbuluar se pres-konferencat me keqpërdorimet e pushtetit nuk do të pengohen gjatë kohës së bisedimeve të cilat duhet të vazhdojnë të mërkurën në Bruksel, por do të jenë me kujdes të dimensionuara dhe selektuara që të mos e kërcënojnë procesin negociator.

“Do të kemi kujdes në sensibilitetin e audio-materialeve të publikuara. Nuk do të mund të akuzohemi se e kërcënojmë procesin negociator, dhe këtë nuk e dëshirojmë. Patjetër duhet të vazhdojë zbardhja e së vërtetës për keqpërdorimet të cilat i ka bërë pushteti”, tha Zaev.

Ai tregoi se në ditët e ardhshme do të dëgjohen audio-incizime se si janë manipuluar organizatat joqeveritare, çfarë i kanë bërë Federatës së Futbollit të Maqedonisë, për ndërhyrjet në rektoratet e universiteteve etj.

Zaev tha se “bombat” më të ndjeshme, si rasti i “Monstrës” nuk do të publikohen gjatë kohës së negociatave, dhe as para protestës së 13 qershorit që e organizon Lëvizja BESA.

Ai shtoi se nuk heq dorë nga publikimi i tyre, por tha se këto incizime nuk guxojnë të rrezikojnë atë më të vlefshmen që u arrit në kampanjën “E vërteta për Maqedoninë”, e kjo është uniteti i paparë deri tani ndëretnik i qytetarëve, që u tregua edhe në protestën e 17 majit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat