Cilat janë pritjet për shqiptarët nga negociatat në Bruksel

Maqedonia

Cilat janë pritjet për shqiptarët nga negociatat në Bruksel

Më: 10 qershor 2015 Në ora: 09:19

Takimi i liderëve të katër partive në Bruksel ka nxitur debate në Shkup, por vëmendja është tek çështjet e shqiptarëve.

Liderët e katër partive, Nikola Gruevski i VMRO-DPMNE, Zoran Zaev i LSDM-së, Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së prej dje kanë udhëtuar drejt Brukselit.

Por çfarë pritet nga takimi i Brukselit që do të zhvillohet me ndërmjetësimin e eurokomisionerit për zgjerim, Johannes Hahn dhe zyrtarëve të tjerë të Brukselit. A pritet ndonjë epilog që do të hap rrugën e zgjidhjes së krizës, përmes formimit të një qeverie kalimtare pa Nikola Gruevskin si kryeministër, e cila do të organizonte zgjedhjet e prillit të 2016.

Publicistët Nijazi Muhamedi dhe Emin Azemi japin vlerësimet e tyre lidhur me këto negociata ku në fokus është tejkalimi i krizës politike.

Nijazi MUHAMEDI: Kalkulimet në Bruksel

Takimi i liderëve në Bruksel mund të jetë një përpjekje pak më serioze, për të mos thënë pak herët se mund të jetë përpjekje më e vendosur, që krizës politike do t’ia jepte sinjalin e nisjes së zgjidhjes. Sepse, nesër është në rend dite pika më antagoniste mes LSDM-së dhe VMRO-së, krijimi i qeverisë kalimtare përmes formulës së koalicionit madh gjthëpërfshirës.

Kërkesa kategorike e liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev është që kryeministër i qeverisë së koalicionit nuk mund të jetë lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, qeverisja e të cilit e solli këtë katrahurë demokracie ilegale, totalitare, duke ngritur shtetin nepotik mbi bazat e saj.

Ndërkaq, edhe pozicioni i Nikolla Gruevskit, i deklaruar shumë më herët se ky takim është se nuk mund të krijohet qeveri e koalicionit të gjerë pa emrin e tij si kryeministër. Këtë dava mes të dyja palëve duhet ta zgjidhë Brukseli si ndërmjetës për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Nëse çështja e kryeminstrit nuk zgjidhet në këtë takim, takimi mund të pritet të mbarojë me konstantimin se dialogu duhet të vazhdojë, dhe ky vazhdim mund të zgjasë për një kohë të shtyrë, e cila do të mund të shkaktojë edhe një spostim të datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për të cilat palët arritën marrëveshje që zgjedhjet të mbahen në prill 2016.

Dështimi eventual i takimit të liderëve kuptohet se mund të jetë për dobi të Gruevskit, kurse do ta bëjë më të lodhshme përpjekjen e opozitës për pëmbysje të tij, e cila mund të degradojë gjerë në një përpekje më të radikalizuar politikisht.

Ndërkaq, nëse hiqet me marrëveshje emri i Gruevskit si kryeministër, një çështje e vështirë po ashtu për zgjidhje, që nuk kujtoj se mund të mbarojë në takimështë edhe formula e ndarjes së pushtetit brenda koalicionit të zgjeruar si dhe protokolli i vendimmarrjes në parlament dhe në qeveri. Pa një protokoll kësodore, garantues të të cilit do të ishin ndërmjetësuesit, Parlamenti do të bëjë të sillet edhe tutje si Parlament i shumicës parlamentare dhe i opozitës së saj të rikthyer, e kjo prap mund të shkaktojë krizë institucionale.

Roli i shqiptarëve është një rol, si e ka parë tashmë opinioni shqiptar, shumë i paturpshëm prej kukulleje, si në Shkup si në Bruksel ndaj interesave të shqiptare; kurse për interesat e veta dhe të partnerit qeveritar, do mbrojnë anën e tij, si e mbrojtën edhe në takimin e fundit në Shkup, por ky rol prej kukulle edhe më tepër i kompromiton ata para Brukselit, se zgjidhja nuk varet prej tyre. Edhe në formulën e ndarjes së pushtetit do zënë një qoshe vend sipas kalkulimeve dhe interesave të partnerit qeveritar të deritashëm,VMRO-së, për të pëfituar prej atyre ministrive më tepër vetë dhe kientela tyre partiake se sa shqiptarët.

Pozicioni i Brykselit ndaj kësaj krize që nga fillimi dhe një kohë të gjatë pas saj, por dhe tash në disa nuanca jo pak të dukshme është manifestuar lëkundshëm. Arsyet e një lëkundjeje kësodore janë tek mbështetja e mbuluar që ia dha një pjesë e aleancës së partive populloretë cilat tash dominojnë Parlamentin Europian, mbështetje të cilën Gruevski e ka kuptuar qartë si një shkelje syri nga ana e Brukselit, që ky të mos dorëzohet aq lehtë, përderisa arriti të përballojë goditjet nga shpërthimi i “bombës së përgjimeve” dhe i mbi 35 bombave të tjera që dolën nga brendia e përgjimeve që faktojnë një rrënim financiar, një mega -plaçkitje të shtetit dhe një korrupsion të hatashëm.

Ndërkaq,SHBA-ë kanë manifestuar një qëndrim striktërshit parimor dhe të kujdesshëm, për të mos i dhënë shkas asnjërës palë në këtë krizë për t’i bërë eventualisht vërejtje për gjoja bën ndërhyrje në favor të njërës apo tjetrës palë.Kjo krizë iu la në dorë Europës për ta zgjidhur, dhe zgjidhjen që “di ta bëjë’ ajo, apo “si don ta bëjë ajo” nxitën një dëshpërim tek një pjesë e qytetarëve të Maqedonisë, të cilët ‘idealet europane’ i kanë mësuar nga idealistët europianë dhe tash po u dalin ndryshe, kur shohin si thonë e si bëjnë vetë europianët e sotëm.

Emin AZEMI: Liderët shqiptarë, telallë të maqedonizmit bajat

Pjesëmarrja e Ahmetit dhe Thaçit në këto bisedime liderësh, që do të mbahen në Bruksel, me ndërmjetësim të eurokomearit të BE-së Johannes Hahn, nuk më duket që ka në thelb ndonjë substancë. Kjo pjesëmarrje, më tepër krijon efektin e kundërt të asaj çfarë e kërkon opinioni publik shqiptar, sepse nuk ma merr mendja se çështjet e hapura të shqiptarëve do të përfshihen në një tavolinë të njejtë me problemet që i kanë maqedonasit në mes veti.

Si dy çështje krejt të ndryshme( çështjet e hapura të shqiptarëve dhe problemet që i kanë maqedonasit në mes veti), nuk besoj se këto bisedime do të arrijnë t’i shkrijnë ato në një kauzë të përbashkët të liderëve.

Ndodhja e Ahmetit dhe Thaçit në këto bisedime do të duhej të përkufizonte një linjë në mes të unitetit politik shqiptar dhe mosmarrëveshjeve brendamaqedonase. Fatkeqësisht, këtë linjë ende nuk po e shohim dhe kjo më tepër shkon në favor të Gruevskit, i cili unitetin politik të shqiptarëve po e përdor, jo për të avancuar të drejtat e lëna përgjysmë të shqiptarëve, por për të neutralizuar aksionin politik të Zaevit dhe objektivin e tij për një të ardhme politike të Maqedonisë pa Gruevskin në krye.

Çdo afrim me Gruevskin, shqiptarët i vonon në aspiratën e tyre politike për barabarësi dhe shtetforim, në njërën anën, dhe krijon huti te një pjesë e madhe e opinionit publik shqiptar, cili ende nuk ka një qëndrim të qartë kundrejt politikave të Zaevit ndaj shqiptarëve, në anën tjetër.

Shqiptarët në këto bisedime në Bruksel po shkojnë më të të çakorduar se kurdo herë më parë, dhe këtë e bëjnë vetëm liderët të cilët përgjegjësinë e munguar para zgjedhësve të tyre shqiptarë e kanë transferuar në mënyrë tinzare tek shefat e tyre maqedonas. Në mungesë të një platforme të mirëfillt politike, shqiptarët e Maqedonisë edhe kësaj radhe po paguajnë tagrin e jeniqerllëkut politik të prijëve të tyre.

Në anën tjetër, faktori ndërkombëtar po tregon një mungesë të theksuar sensi për të detektuar problemet në terren, edhe për faktin se në Bruksel dhe në qendra tjera të vendimarrjes, është krijuar një përshtypje e gabuar se në Maqedoni shqiptarët i kanë zgjidhur të gjitha problemet dhe tani problem madhjor ka ngelur vetëm dialogu politik në mes të opozitës maqedonase dhe kryemintsrit aktual Gruevski.

Kësaj dipotrie të shtrembëyruar i kanë kontribuar edhe disa politikanë shqiptarë të cilët para disa kohësh morën rolin e ministrit të Jashtëm për të animuar problemet që kishte Shkupi zyrtar me Greqinë, duke u bërë kështu telall të njëfarë maqedonizmi bajat dhe duke anashkaluar problemet reale që kanë shqiptarët e Maqedonisë. (INA)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat