​“Protestoj shqip” fton të gjithë shqiptarët në protestë më 13 qershor (Video)

Maqedonia

​“Protestoj shqip” fton të gjithë shqiptarët në protestë më 13 qershor (Video)

Më: 11 qershor 2015 Në ora: 16:42

Në emër të Këshillit organizativ për organizimit të marshit protestues në Kumanovë, organizatave joqeveritare, intelektualëve, familjarëve të prekur nga rasti i Sopotit, familjarëve të skenarit të Kumanovës dhe gjithë sektorit civil, ju bëjmë ftesë të gjithë shqiptarëve të Kumanovës dhe Likovës që pa dallim ngjyrave partiake, më 13 qershor t’i bashkëngjiteni marshit protestues gjithëshqiptar me moton “PROTESTOJ SHQIP”.

Sot Këshillit Organizativ për Marshin Protestues nga Kumanova ka mbajtur një pres-konferencë për rrjedhën e protestës së 13 qershorit në Shkup.
Më poshtë ua sjellim të plotë:
Të nderuar qytetarë të komunës së Kumanovës dhe komunës së Likovës,

Në emër të Këshillit organizativ për organizimit të marshit protestues në Kumanovë, organizatave joqeveritare, intelektualëve, familjarëve të prekur nga rasti i Sopotit, familjarëve të skenarit të Kumanovës dhe gjithë sektorit civil, ju bëjmë ftesë të gjithë shqiptarëve të Kumanovës dhe Likovës që pa dallim ngjyrave partiake, më 13 qershor t’i bashkëngjiteni marshit protestues gjithëshqiptar me moton “PROTESTOJ SHQIP”.
Marshi do të niset nga lagjja e Çairit në Shkup, ndërsa destinacioni i fundit është Qeveria e Republikës së Maqedonisë, ku do të lexohen mesazhet e protestës dhe do të mbahen fjalimet e rastit.
Shqiptarët e Kumanovës dhe të Komunës së Likovës vazhdimisht kanë qenë të shtypur, të nënçmuar, të varfëruar dhe të diskriminuar nga pushteti dhe çdoherë kanë qenë të anashkaluar dhe të diskriminuar edhe nga partitë shqiptare që na kanë përfaqësuar në pushtet.

Edhe pse në këtë rrethinë është zhvilluar konflikti i 2001-it, i cili duhej ta avancojë çështjen shqiptare në Maqedoni, përsëri shqiptarët e këtij rajoni mbetën të papërfaqësuar, të diskriminuar dhe të anashkaluar. Edhe sot e kësaj dite rajoni i Kumanovës dhe Likovës ballafaqohet me probleme ekzistenciale dhe infrastrukturore si mungesa e ujit në komunën e Likovës ndonëse Likova e ka pendën e vet dhe mungesa e kanalizimit, infrastruktura është katastrofale, papunësia është marramendëse, kemi mungesë të shkollave për zhvillimin normal të procesit arsimor, por edhe shumë probleme të tjera.
Sikur të mos mjaftonin këto probleme, ndaj popullatës së Kumanovës u organizua edhe skenari i 9 majit, i cili tronditi, tmerroi, frikësoi dhe, fatkeqësisht, edhe shpërnguli një pjesë të qytetarëve të Kumanovës drejt vendeve të Perëndimit. Në këtë rast u ushtrua dhunë e paparë edhe ndaj popullatës civile të Lagjes së Trimave, si edhe ndaj fëmijëve të pafajshëm, të cilët u detyruan të përjetojnë skena të tmerrshme dhe të dëgjojnë zhurma të papërballueshme të armëve.

Si rezultat i të gjitha dështimeve të këtij pushteti kërkesat e këtij marshi protestues janë:

• Do të kërkojmë ndriçimin e plotë të rastit të Lagjes së Trimave në Kumanovë, përgjegjësinë e autorëve dhe organizatorëve të atij skenari dhe zgjidhjen urgjente të dëmtimeve të vendbanimeve shqiptare të shkatërruara padrejtësisht;

• Do të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë Gruevski & Ahmeti, sepse kjo qeveri e ka partizuar shtetin, i ka keqpërdorë institucionet, ka dështuar në rrugën e integrimit dhe në thelb është antishqiptare;

• Do të kërkojmë që z. Zaev t’i publikojë të gjitha materialet që kanë të bëjnë me të vërtetat shqiptare, e veçmas ato që kanë të bëjnë rastet e montuara, siç është “Monstra” , ndryshe do ta konsiderojmë pjesëmarrës në fshehjen e krimeve;

• Do të kërkojmë marrëveshje të re për Maqedoninë si shtet i përbashkët konsensual i shqiptarëve dhe maqedonasve

• Do të këkojmë që të përfshirët në rastin e “Sopotit” të shpallen menjëherë të pafajshëm.

Për arsyet e lartpërmendura dhe shumë arsye të tjera, ju bëjmë ftesë të gjithë shqiptarëve të Kumanovës dhe Komunës së Likovës që t’i bashkëngjiten këtij marshi protestues, të bashkuar ta ndryshojmë ardhmërinë tonë dhe të pasardhësve tonë.

Le të dëgjohet zëri shqiptar më 13 qershor në Shkup!
Nën himnin shqiptar dhe nën flamurin shqiptar!
Kumanovë, 11.06.2015 Këshilli Organizativ i Protestës “PROTESOJ SHQIP”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat