Injorimi nga Merkel, shuplakë për Maqedoninë

Maqedonia

Injorimi nga Merkel, shuplakë për Maqedoninë

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 20:03

Fakti që Shkupi nuk është pjesë e vizitës ballkanike të kancelares gjermane Angela Merkel mund të shihet si një shuplakë diplomatike mbi pushtetin aktual.

Mes krizës politike dhe vërejtjeve të vazhdueshme për kthimin pas të proceseve demokratike, problemeve me gjyqësorin dhe gjendjes së mediave, ky vendim i kancelares sipas ekspertëve është më se i qartë por edhe shqetësues, sipas “Deutsche Welle”-s.

“Fakti që kancelarja gjermane Angela Merkel e anashkalon Maqedoninë në vizitën e saj ballkanike është një shenjë e keqe për vendin - tha për DW-në Malinka Ristevska Jordanova, drejtoresha e Institutit për Politikë Evropiane -. Në planifikimin e vizitave të tilla kjo nuk është e rastësishme; ata na japin mesazh të qartë politik. Injorimi është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë Maqedonisë tani, sidomos kur vjen nga anëtari më i fuqishëm i BE-së për momentin. Ky mesazh duhet të lexohet së bashku me këmbënguljen e Gjermanisë në këshillin e kaluar të BE-së që Maqedonia të hiqet nga ‘perspektiva evropiane’. Pas kësaj do të jetë shumë e vështirë për Maqedoninë të krijojë pozitë të favorshme ndaj Gjermanisë, e cila edhe ashtu ishte e përmbajtur në integrimin e këtij vendi në BE”.

Për disa ekspertë, fakti që Merkeli viziton Tiranën, Sarajevën dhe Beogradin, por jo Shkupin, është sinjal i qartë, veçanërisht për strukturën aktuale të pushtetit. “Ky është një mesazh shumë i qartë për strukturat politike maqedonase, sidomos për pushtetin, se proceset demokratike përkeqësohen ngase mungon jo vetëm demokracia, por edhe drejtimi politik, liria e medieve dhe pavarësia gjyqësore. Janë procese të udhëhequra dhe kontrolluara drejtpërdrejtë nga pushteti. Mosardhja e Merkelit është shuplakë diplomatike mbi Qeverinë aktuale të Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit”, komentoi Goran Rafajllovski, profesor universiteti dhe ish-ambasador i Maqedonisë në Berlin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat