Ministria e Drejtësisë ka nisur procedurën për ekstradimin e Sulejman Osmanit

Maqedonia

Ministria e Drejtësisë ka nisur procedurën për ekstradimin e Sulejman Osmanit

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 21:59

Ministria e drejtësisë ka filluar procedurën për ekstradimin e Sulejman Osmanit, personit të dyshuar për pjesëmarrje në ngjarjet e Kumanovës, i cili më pas i shpëtoi nga duart policisë. Nga dikasteri i Adnan Jasharit thonë se edhe zyrtarisht janë informuar nga MPB-ja, se Osmani është arrestuar në Kosovë dhe se tani vijon kompletimi i dokumentacionit për ekstradim, sikurse gjatë praktikave të deritanishme.

“Në Ministrinë e Drejtësisë bëhet kërkesë për ekstradim në bazë të shkresave të dorëzuara, dhe firmoset nga Ministri i Drejtësisë. Kërkesa për ekstradim përkthehet, kompletohet me dokumentet që i dorëzon organi gjyqësor kompetent ose MPB-ja dhe më pas dërgohet, zakonisht me postë të shpejtë”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Ndërsa në Ministrinë e Drejtësisë po përgatitet kërkesa, në MPB thonë se dëshirojnë ekstradim të shpejtë, edhe pse siç thonë atje, procesi mund të jetë edhe i ngadaltë, për shkak se Osmanit i janë gjetur edhe armë në momentin e arrestimit.

“Sipas informatave që vijnë nga Kosova, ai është lokalizuar nga forcat speciale të policisë në një shtëpi afër kufirit me Maqedoninë dhe gjatë kontrollit, i është gjetur dhe i është marrë një pistoletë dhe municione”, deklaroi Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Nëse Osmani do të ngarkohet me padi penale edhe në Kosovë, për momentin nuk ka informacione. Në çfarëdo rasti, ai kërkohet në Maqedoni për “terrorizëm”. Përveç tij, në burg janë edhe 30 pjesëtarë të tjerë nga grupi i Kumanovës, që ngarkohen me vepra të ndryshme penale. Alsat M sot dërgoi sërish shumë pyetje në Prokurori dhe kërkoi informata se deri ku është hetimi për rastin e Kumanovës. Por, deri në këtë edicion lajmesh nuk morëm përgjigje.

Ndërsa Prokuroria publike nuk i publikon rezultatet e hetimit, nga MPB-ja thonë se nuk janë ata kompetentët për këtë gjë. Edhe sot e përsëritën qëndrimin e para një jave të ministrit Çavkov, se të vërtetën për Kumanovën duhet ta thotë Prokuroria Publike. Ngjarjet në Kumanovë ndodhën dy muaj më parë. Në aksionin policor mbetën të vrarë 8 policë ndërsa 37 u plagosën dhe qindra qytetarë u zhvendosën përkohësisht nga shtëpitë e tyre.

U vranë edhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Ndonëse ka kaluar mjaft kohë, deri tani asnjë institucion nuk doli me sqarim publik për ngjarjen. Mbeten shumë dilema, si për shembull, motivet e grupit, si arritën të futeshin në qendër të Kumanovës, dhe pa asnjë pengesë të sillnin me vete gjithë atë armatim, si dhe cila ka qenë natyra e kontakteve të shërbimeve sekrete të Maqedonisë me një pjesë të liderëve të grupit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat