30 mijë refugjatë presin në kufirin grek, për të tranzituar në Maqedoni

Maqedonia

30 mijë refugjatë presin në kufirin grek, për të tranzituar në Maqedoni

Më: 8 shtator 2015 Në ora: 16:59

UNHCR-ja njofton për afro 30 mijë refugjatë që presin në anën greke për të hyrë në Maqedoni. Ndërsa fluksi i emigrantëve rritet, Zyra e Komisionerit të Lartë për Refugjatët në OKB, bën apel edhe për zgjidhje të sigurt akomodimi nga shtetet anëtare të BE-së. UNHCR-ja shprehu shqetësimin se shumë vende të BE-së, ende nuk kanë një zgjidhje adekuate mbi dhënien e azilit, refugjatëve që janë arratisur nga lufta.
"Numër rekord i refugjatëve sirianë mbërritën dje në Maqedoni, kurse rreth 30 mijë të tjerë po presin në ishujt grekë, përfshi edhe 20 mijë persona që tani gjenden në ishullin e Lesbosit. Diskutimet në Evropë mbi refugjatët këtë javë po marrin karakter më intensiv, pasi nuk mund të kemi një zgjidhje gjermane për problemin evropian. Duhet të ndërtohen qendra për pritje në shtete si Hungaria dhe Greqia. Shtetet mund të punojnë vetëm nëse ekziston një sistem i sigurt shpërndarjeje, ku shtetet evropiane të thonë, “po, ne do të pranojmë deri kaq refugjatë", thonë nga UNHCR-ja.
Pas pezullimit të përkohshëm të marrëveshjes së Dublinit, në Gjermani fluksi i refugjatëve është në rritje. Autoritetet janë mobilizuar me ndërtimin e kampeve të mëdha për strehim si ky në Dresden, ku tashmë mund të shihen themelet e një strehimoreje për afro 200 persona. Gjermania po shqyrton kërkesat për azil, dhe vetëm ata që kanë ikur nga lufta do të mbeten në Gjermani. Autoritete gjermane kanë thënë se Gjermania ka mundësi për pranim të afro gjysmë milioni refugjatësh në vit.
Hungaria, vendi që është shndërruar në portë të BE-së për refugjatët, edhe sot ka qenë arenë përplasjesh mes refugjatëve dhe policisë. Në momentin kur një autobus erdhi për të marrë një grup refugjatësh nga kampi i përkohshëm, një turmë e madhe iu vërsul automjetit, për të hipur në të, duke u ndeshur me policinë.
Ndërsa shtetet e BE-së kanë ende mospajtime rreth refugjatëve, shtete të tjera më të varfra ofrojnë shembuj ndihme në ndihmë të tyre. Ish presidenti i Uruguait Hose Muhika, i cilësuar si një prej presidentëve më të varfër në botë, ka ofruar shtëpinë e tij për fëmijët jetimë të ikur nga lufta. Harxhimet për zhvendosjen e fëmijëve refugjatë do t’i mbulojë qeveria e Uruguait.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat