Vazhdon golgota e refugjatëve nga Lindja e Mesme

Maqedonia

Vazhdon golgota e refugjatëve nga Lindja e Mesme

Më: 16 shtator 2015 Në ora: 20:49

Qindra refugjatë çdo ditë mbërrijnë në kufirin me Greqinë, në mënyrë që të transitojnë Maqedoninë për të mbërritur në vendet evropiane. Aktivisitët humanitarë vazhdimisht po kujdesen që sado pak të zbusin dhembjen e tyre. Në kampin e refugjatëve në Gjevgjeli, sot në ndihmë atyre iu doli edhe Bashkësia Fetare Islame. Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi paralajmëroi se BFI do të mundësojë edhe transport pa pagesë brenda Maqedonisë për refugjatët.

“Për gjithë ata që ndodhen në këtë kamp. Edhe pse kemi sjellë ushqim, mjete higjienike dhe gjitha mjetet e nevojshme elementare që janë të nevojshme për jetën e njeriut, prapë nuk llogarisim se kemi bërë diçka. Do të marrim disa autobusë me qira dhe do të tentojmë të marrim leje prej organeve kompetente, që transportin e këtyre të mjerëve ta bëjmë falas deri në vendin ku ata dëshirojnë”, deklaroi Sulejman Rexhepi, Kryetar i BFI-së.

Edhe medreseja e femrave nga Gostivari iu bashkëngjitën aksionit të BFI-së.

“Nuk është ndihmë shumë e madhe por është simbolike, që sado pak t’ua zbusim pak gjendjen këtyre njerëzve këtu dhe t’i përjetojmë edhe ne disa emocione bashkë me këto”, u shpreh Fatime Beshiri, profesoreshë në “Medreseja Isa Beu”, Gostivar.

Refugjatët të lodhur nga udhëtimet e gjata rrëfejnë për vështirësitë e shumta me të cilat po përball en në rrugëtimin e tyre drejt vendeve evropiane. Ata shprehen të dëshpëruar nga ngritja e murit hungarez në kufirin me Serbinë. Thonë se do të provojnë çdo mundësi për ta kaluar këtë barrierë, pasi nuk kanë ku të kthehen.

“Jam inxhinier kompjuterik. E di se vendi im ka nevojë për mua, por ku të shkoj?! Kjo që bën Hungaria nuk është mirë. Ne do të luftojmë deri në fund për një jetë më të mirë. Nuk kemi ku të kthehemi”, tha një emigrant nga Siria.

“Kjo masë e Hungarisë na ka dëshpëruar tepër. Sa menduam se Evropa hapi dyert për ne, ja çfarë ndodhë. Nuk kemi ku të shkojmë. Do të flemë tek ai mur që po ngrihet”, u shpreh emigrant nga Afganistani.

Për dallim nga ditët tjera, sot në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë nuk kishte fluks të madh refugjatësh. Megjithatë, UNHCR ka paralajmëruar se në periudhën e ardhshme, vala e refugjatëve do të marrë përmasa edhe më të mëdha, pasi që mijëra sirian ë tashmë kanë filluar ti braktisin shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve të vazhdueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat