SHBA thirrje presidentit Ivanov të rishqyrtojë vendimin

Maqedonia

SHBA thirrje presidentit Ivanov të rishqyrtojë vendimin

Më: 13 prill 2016 Në ora: 22:23

Uashingtoni i bëri thirrje të mërkurën presidentit të Maqedonisë Gjeorgje Ivanovtë rishqyrtojë vendimin e tij për pezullimin e hetimeve ndaj skandalit të përgjimeve.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby tha se pezullimi i hetimeve do të mbronte zyrtarët e korruptuar dhe do t’i mohonte drejtësinë popullit të Maqedonisë. “Vendimi do të dëmtonte më tej shtetin ligjor, integritetin e institucioneve gjyqësore, si dhe besueshmërinë e përkushtimit të udhëheqësve maqedonas ndaj vlerave themelore të NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Të martën, në mënyrë të papritur, Presidenti Ivanov njoftoise kishte vendosur të ndërpriste hetimet për skandalin e përgjimeve duke thënë se synonte t'i jepte fund "agonisë politike në të cilën ndodhej vendi prej një viti".

Opozita në Maqedoni, po proteston për të dytën ditë duke kërkuar dorëheqjen e presidentit.

Protestuesit u mbodhën të mërkurën në mbrëmje para zyrave të presidentit ku qëlluan, me vezë, gurë e mjete të tjera. Më pas, ata çanë kordonin e policisë dhe shkuan para parlamentit. Megjithatë, protestuesit nuk arritën të shkonin para selisë së partisë VMRO-DPMNE në pushtet.

Nga ana tjetër, një tjetër grup protesuesish, që besohet se janë përkrahës të partisë VMRO-DPMNE, u nis drejt selisë së Lidhjes Social Demokrate të opozitës, për të shprehur revoltën kundër drejtuesve opozitarë.

Vendimi i Presidentit Ivanov për të mbyllur hetimet, për një prej skandaleve politike më të rënda të këtij vendi, u kritikua me forcë edhe nga Bashkimi Evropian, që e quajti atë një veprim që bie në kundërshtim me shtetin ligjor.

Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës pas skandalit të përgjimit. Skandali do të hetohej nga një prokuror i posaçëm dhe ish kryeministri Gruevski ra dakort që Maqedonia të zhvillojë zgjedhje të parakohshme, të cilat janë planifikuar për në qershor.

Parlamenti i vendit u shpërnda javën e kaluar, por opozita theksoi se do t'i bojkotojë zgjedhjet pasi nuk janë përmbushur kushtet për të cilat u ra dakort në marrëveshje që zgjedhjet të jenë të lira e të drejta.

Presidenti Ivanov është aleat i ish kryeministrit Gruevski i cili e mbështeti atë të zgjidhej në këtë post.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat