Shkupi përfshihet nga protestat kundër presidentit

Maqedonia

Shkupi përfshihet nga protestat kundër presidentit

Më: 15 prill 2016 Në ora: 10:17

Me kërkesën për dorëheqjen e Qeverisë së Maqedonisë dhe gjykimin e të gjithë zyrtarëve të dyshuar nga prokuroria për mashtrime zgjedhore dhe krime tjera të rënda, mijëra qytetarë kanë protestuar edhe mbrëmjen e të enjtes, fillimisht para Kuvendit dhe më pas para Qeverisë, ku kanë qëndruar deri rreth mesnatës.

Përplasje mes policisë dhe protestuesve ka pasur në një moment, por nuk është raportuar për ndonjë të lënduar, për dallim nga protesta e një nate më parë, që përfundoi me dhjetëra të plagosur dhe demolimin e zyrave të presidentit.

Ndërkohë, qytetarët që kishin dalë në protestë edhe njëherë shprehën pakënaqësinë ndaj vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov për të amnistuar zyrtarët, madje ende pa pasur një epilog gjyqësor.

“Vetëm populli mund ta rrëzojë këtë qeveri. Ky pushtet është një bashkim i grupeve kriminale. Këta kanë dënuar shumë njerëz se gjoja kanë bërë veprim të jashtëligjshme, por në fakt, këta janë ata që kanë bërë vepra kriminale. Këta duhet të përballen me drejtësinë, nuk mund të ikin nga përballja me realitetin. Populli do t'i ndjek ata ku do që të jenë”, thotë një qytetar i revoltuar.

“E gjithë kjo agoni do të përfundojë. Do të mbyllet me sukses, që populli të lirohet nga kjo gjendje e rëndë. Alternativë tjerë nuk ka, ne duhet të luftojnë këtu për kthimin e demokracisë së rrëmbyer”, u shpreh një protestues.

“Askush nuk mund t'i ikë përballjes me drejtësinë. Qytetarët duhet ta dinë të vërtetën për atë që kanë bërë. Nuk mund t'i ikin drejtësisë pasi do të përballen me zemërimin e popullit. Nuk do të ketë zbmrapjse nga kërkesa për anulimin e vendimit të presidentit dhe nxjerrjen e kriminaleve para drejtësisë”, ka deklaruar një tjetër protestuese.

Aktivisti Petrit Saraçini, ndërkohë, ka ftuar edhe partitë opozitare shqiptare që t'i bashkohen protestave.

“Po shoh se kur po digjet shteti vetëm një apo dy parti shqiptare të opozitës janë këtu. Të tjerat heshtin sikur ky problem të mos jetë edhe i tyre. Por, ky është edhe problem i shqiptarëve sikur që është problem edhe i maqedonasve, serbëve, vllehëve, turqëve, e të tjerëve”, ka deklaruar Saraçini.

Në të gjitha pikat kyçe të Shkupit ishin përqëndruar forca të shtuara policore dhe autoblinda për të parandalur incidentet, pasi krahas protestuesve opozitar, sërish pati kundër-protesta të organizuara nga pushteti, në mbrojtje të siç thonë, “rendit kushtetues dhe të institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike”.

Ndryshe, vendimi i presidentit Ivanov ka nxitur reagime të shumta të komunitetit ndërkombëtar. Kanë reaguar thuajse të gjitha ambasadat e shteteve anëtare të BE-së duke e cilësuar vendimin si rrënues të marrëveshjes politike dhe përpjekjeve për vendosjes e sundimit të ligjit në vend.

Diplomatët perendimor i kanë dhënë mbështetje të fuqishme prokurorisë speciale në vazhdimin e punës për hetimin e të gjitha rasteve të inicuara kundër shpërdorimit të detyrës së zyrtarëve.

Në mbrojtje të pushtetit është deklaruar vetëm ambasada e Rusisë, e cila ka fajësuar opozitën se me ndihmën e shërbimeve të jashtme punon kundër interesave të Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat