Propozim-ligji për reklamimin qeveritar në media nxiti debatin në Kuvend- nëse pushteti duhet ti shpenzojë paratë e popullit për reklama. Ministrja për shoqëri informatike Marta Arsovska- Tomovska konsideron se me ndryshimet e reja do të vendoset rendi në këtë sferë.
“Me këtë propozim – ligj vendoset mekanizëm për njoftimet e shkurtra pa pagesë në shërbimin publik, miratohen rregulla rigoroze për reklamimin qeveritar në bazë të kritereve transparente dhe jo diskriminuese, si dhe transparencë të plotë të reklamimit qeveritar dhe jo vetëm në raport me shpenzimin e financave publike, por edhe kontroll të përmbajtjes që e plasojnë”, deklaroi Marta Arsovska – Tomovska, Ministre e shoqërisë informatike.
Dejan Georgievski- nga qendra për zhvillimin e mediave konsideron se reklamat qeveritare janë vegël e fuqishme për korrupsion në sektorin mediatik. Ai theksoi se nuk duhet t’u besohet politikanëve se nuk mund të ketë keqpërdorim dhe përpjekje për vendosjen e kontrollit në politikën redaktuese të mediave.
“Përvojat nga vitet e kaluara, mënyra se si pushteti dhe politikanët tanë sillen ndaj mediave, vullneti dhe dëshira të kenë kontroll ndaj asaj që mediat e shkruajnë dhe të kenë kontroll ndaj mënyrës se si mediat u qasen aktiviteteve të pushtetit dhe qeverisë , ofron vegël për korrupsion në media”, tha Dejan Georgievski, Qendra për zhvillimin e mediave.
Prapa propozimeve qëndruan 5 televizionet nacionale. Sipas tyre në përgjithësi bëhet fjalë për një nismë të mirë.
“Duke pasur parasysh proporcionin e shikueshmërisë dhe dëgjueshmërisë së televizioneve dhe radiove, kundrejt portaleve të internetit të cilat nuk i quaj media sepse vetë ata kërkojnë të mos jenë media dhe media të shtypura dhe njëkohësish nëse merret parasysh shpërndarja që e bëjnë agjencitë e marketingut lidhur me buxhetet e televizioneve, propozimi i ynë është se duhet të paktën 85% nga buxheti të shpërndahet në televizione dhe radio”, u shpreh Ivan Mirçevski, Asociacioni i Mediave të Maqedonisë.
Në raportin e Pribes në pjesën e mediave përmendet se përmes fushatave të paguara publike me para të popullit, qeveria korrupton dhe kontrollon mediat. Sipas Arsovska-Tomovskës propozim-ligji i ri mundëson rekomandimet e Pribes të zbatohen në teren.