Vrasja e Almirit 4-vjeçar, familja kërkon burg të përjetshëm për vrasësin

Maqedonia

Vrasja e Almirit 4-vjeçar, familja kërkon burg të përjetshëm për vrasësin

Më: 20 korrik 2016 Në ora: 17:23
Asmir Alispahiq

Asmir Alispahiq është avokati mbrojtës i familjes Aliu nga Kumanova, e cila humbi fëmijën e tyre katër vjeçar Almirin. Sipas avokatit bëhet fjalë për një rast shumë të komplikuar, ndërkaq kërkon që për vrasësin e Almirit të shqiptohet dënimi më i rëndë.

“Ne si familje, dhe unë si avokat i familjes Aliu do të kërkojmë dhe do të insistojmë që të jepet dënimi më i ashpër, respektivisht burgu i përjetshëm. Në këtë rast ku ka edhe prova materiale – video incizim, ka fakte se ai vërtetë me paramendim, dhe pa frikë, pa mos iu trembur syri e ka kryer vrasjen, insistojmë për një denim maksimal”, tha Asmir Alispahiq.

Avokati tha se po punohet intensivisht që procedura hetimore të fillojë sa më shpejtë dhe e njejta të përfundojë si e parashikon ligji. Ndryshe familjarët e viktimës kanë kërkuar që rasti të mos merr kahje etnike apo partiake, ndërkaq ditë më parë babai i viktimës Sedat Aliu kërkoi që sa më shpejtë të fillojë procesi gjyqësor.

“Procesi gjyqësor ende nuk ka filluar, jemi në konsultime me disa avokat, presim javën e ardhshme ta zgjedhim avokatin, dhe sa më shpejt të fillon procesi gjyqësor. Besojmë në organet e drejtësisë dhe presim që e drejta të del në shesh dhe organet e drejtësisë ta dënojnë kriminelin me dënimin e merituar”, tha Sedat Aliu, babai i Almirit.

Ndryshe tragjedia e ndodhur në Kumanovë erdhi si pasojë e një zënke mes prindit të viktimës dhe kryerësit të vrasjes Boban Iliq, ku ky i fundit shtypi për vdekje me makinë në shpejtësi të madhe katër vjeçarin nga Kumanova. Si pasojë vogëlushi tanimë I ndjerë qëndroi në qendrën urgjente në Shkup për gati një javë radhazi në gjendje shumë të rëndë. Edhe pse u bënë ndërhyrje të shumta mjekësore, Almiri në spital ndërroi jetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat