Marrëveshja e arritur politike e pazbatueshme pa pajtimin e liderëve

Maqedonia

Marrëveshja e arritur politike e pazbatueshme pa pajtimin e liderëve

Më: 21 korrik 2016 Në ora: 21:15
Shkupi

Njohës të çështjeve politike në Maqedoni janë shprehur skeptik sa i përket realizimit të marrëveshjes së arritur mes përfaqësuesve të katër partive politike për nxjerrjen e vendit nga kriza politike.Marrëveshja e arritur mes përfaqësuesve të partive parasheh modalitetet e pastrimit të listës zgjedhore, reformat në media si dhe definimin e kompetencave të Ministrit të Punëve të Brendshme duke lënë hapësirën që përfaqësuesit e katër partive politike sërish të mblidhen 31 gusht për të vlerësuar sa është realizuar marrëveshja në fjalë dhe varësisht nga vlerësimi të caktohet datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Asnjë nga këto segmente nuk mund të konsiderohet kuptimplota në kuptimin e saj si ishte ideja në fillim për zgjidhjen e çështjeve të hapura, qoftë lista zgjedhore, apo reformat në media që tani në formë legale krijohet mundësi të korruptohen ose stimulohen të punojnë për pushtetin, apo ajo si është rregulluar çështja e ministrit për punë të brendshme dhe disa segmente të tjera nuk janë zgjidhur ashtu siç është dashur konform realitetit".

"Kjo ndodh për faktin se pushteti i cili është zënë në ushtrimin e krimit të organizuar tani merr pjesë në tryezën e bisedimeve si partner i barabartë. Në çdo shtet normal do të duhej të jepnin dorëheqje udhëheqësit shtetëror të cilët janë të dyshuar ose për të cilët ka indikacione se janë të përfshirë në krim të organizuar me qëllim që organeve të pavarura tu mundësohet të ndërmarrin masa e duhura, kurse tek ne në Maqedoni jo vetëm se ata nuk dhanë dorëheqje po pengojnë dhe punën e Prokurorisë Speciale Publike”, nënvizon Mersim Bilalli analist politik.

Ndërkohë, Alajdin Demiri njohës i çështjeve politike, thotë se marrëveshja e kumtuar nga ana përfaqësuesit e partive politike është në funksion vetëm të krijimit të klimës pozitive për zgjidhjen e krizës, por siç nënvizon ai, akoma shumë larg është arritja e një marrëveshjeje e cila do t’i hapte rrugë organizimit të zgjedhjeve të besueshme nga të gjitha palët me këtë dhe tejkalimin e krizës politike.

“Fakti se liderët e partive politike e nënçmuan këtë marrëveshje duke i dërguar “çirakët', njerëzit sekondarë të partive të tyre, tregon se liderët mbajnë një distancë ndaj marrëveshjes. Në këtë rast mund të them se është krijuar vetëm një klimë, e cila nuk sqaroi asgjë se për çka janë marrë vesh përfaqësuesit e katërpartive politike”, vlerëson Alajdin Demiri.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Xhes Baily, sot e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes partive përmes së cilës synohet të nxirret Maqedonia nga kriza politike.

Ambasadori amerikan në Shkup Xhes Baily në profilin e tij në Twitter ka shkruar “Urime për Maqedoninë për marrëveshjen e 20 korrikut – mundësi për demokracinë”, duke bashkangjitur edhe marrëveshjen e arritur mes katër përfaqësuesve të katër partive kryesore në Maqedoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat