Çavkov: Dëshmitari foli i hutuar që Mirsad Ndrecaj ishte arrestuar i gjallë

Maqedonia

Çavkov: Dëshmitari foli i hutuar që Mirsad Ndrecaj ishte arrestuar i gjallë

Më: 23 korrik 2016 Në ora: 17:30
Të arrestuarit për rastin 'Lagjia e Trimave'

Ministri i punëve të Brendshme Mitko Çavkov nuk ka përjashtuar mundësinë që gjatë seancës së djeshme gjyqësore për Kumanovën, dëshmitari i mbrojtur pjesëtar i policisë të ketë thënë se Mirsad Ndrecaj ishte arrestuar i gjallë gjatë aksionit policor në Lagje e Trimave.

Por, Çavkov më tej ka thënë se dëshmitari deklaratën mund ta ketë bërë i hutuar ose në gjendje të rëndë psikologjike.

“Nuk dua të ndërhyj në këtë, dëgjova se kjo ka qenë në vet seancën gjyqësore megjithatë besoj se mbrojtja dhe prokuroria do ti pastrojnë këto dilema ose nuk di si do ti kisha quajtur. Mendoj se nuk është aspak dilemë por është ndonjë huti gjatë dhënies së deklaratës, kështu që duhet të keni mirëkuptim edhe për momentet psikologjike derisa zgjatin proceset e tilla”, tha Mitko Çavkov, ministër i punëve të brendshme.

Dje avokatët e rastit Kumanova njoftuan se rryma dhe defektet teknike ishin shkak për ndërprerjen e seancës gjyqësore, por sipas të përditshmes Lajm shkaku i vërtetë ka qenë dëshmia e një polici pjesëmarrës në aksionin “Lagja e Trimave”. Ky i fundit në dëshminë e tij e ka pranuar se Mirsad Ndrecaj është arrestuar i gjallë nga policia. Televizioni Alsat vitin e kaluar siguroi një dokument me shenjën “Shumë urgjent” që pretendohet të jetë i Ministrisë së Punëve të Jashtme e cila njoftonte ambasadën e Kosovës në Shkup me identitetin e personave të dorëzuar. Në listë ndodheshin edhe emrat e Mirsad Ndrecajt dhe Beg Rizajt, për të cilët në letër thuhej se ishin arrestuar. Se çfarë ka ndodhur me këta dy persona që më pas rezultuan të vrarë, mbetet të përgjigjen institucionet e vendit apo nëse institucionet kosovare kërkojnë hetim të ri.

Ndërkohë,sipas avokatëve të arrestuarit në rastin e Kumanovës pas përfundimit të seancës së djeshme gjyqësore janë malltretuar sërish. Madje njërit prej tyre Sevdail Miftari i është thyer këmba. Por, Çavkov e i ka quajtur spekulime këto informacione.

“Vërtet është shumë e ndjeshme, kam informacione për aktivitetet të ndryshme që lidhen me organizimin një ikjeje ose organizimin e pengimit të procesit gjyqësor. Pavarësisht nga spekulimet dhe konstruksionet ne do të vazhdojmë ti realizojmë profesionalisht detyrat tona lidhur me sigurinë. Janë ndërmarrë të gjitha masat preventive, është siguruar incizimi i tërë procesit duke filluar nga burgu deri në gjykatë dhe nga gjykata deri në burg, kështu që nuk është e mundur që dikush ta keqpërdor pozitën e tij”, tha Çavkov.

Deri tani më të keqtrajtuar nga ana e policisë, sipas avokatëve kanë qenë Andi Krasniqi, i njohur si komandant Malisheva, Demë Shehu e Ekrem Arifi. Seanca e radhës për Kumanovën mbahet më 28 korrik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat