Ademi në mbledhjen joformale të ministrave për çështje evropiane në Bratisllavë

Maqedonia

Ademi në mbledhjen joformale të ministrave për çështje evropiane në Bratisllavë

Më: 25 korrik 2016 Në ora: 17:08
Pamje nga takimi

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, me ftesë të Presidencës Sllovake, ka marrë pjesë në mbledhjen joformale të ministrave për çështje evropiane, të organizuar në kuadër të Këshillit për çështje të përgjithshme të Bashkimit Evropian, i cili u mbajt dje dhe sot në Bratisllavë.

Në takim, qëndron në kumtesën e Sekretariatit për çështje evropiane ka marrë pjesë edhe komisari për zgjerim Johanes Han dhe të gjithë ministrat për çështje evropiane si dhe përfaqësuesit nga vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Kryesuesi në emër të presidencës Sllovake, Ivan Korçak, potencoi se zgjerimi mbetet në fokustë Bashkimit Evropian.

Komisari Han theksoi se në proces, gjatë javëve të fundit, ka progres serioz në pothuajse të gjitha vendet e rajonit. Për Maqedoninë, Komisari Han theksoi se lajmet e mira për arritjen e marrëveshjes duhet tani të materializohen përmes implementimit të plotë të marrëveshjes edhe atë pa prolongim.

Në fillim të fjalës së tij Zëvendëskryeministri Ademi, u falënderua për ftesën për pjesëmarrje në këtë takim joformal, i cili paraqet edhe një konfirmim për përkushtimin dhe mbështetjen e procesit të integrimit në BE. Ai ju referua sfidave serioze me të cilat ballafaqohet Bashkimi Evropian në momentin e marrjes së kryesimit nga ana e Sllovakisë, siç janë Brexit, ngjarjet në Turqi, kanosjet terroriste ndaj sigurisë dhe mundësia e eskalimit të krizës së migrantëve.

Njëherit, theksoi se këto do të kërkojnë angazhim dhe fokusim më të madh nga ana e institucioneve Evropiane, por edhe në rrethana të tilla, ai shprehi shpresat që e gjithë kjo do të kontribuojë në konsolidimin e politikave të BE-së, me ndërmarrjen e masave për parandalim të rreziqeve në të ardhmen dhe vazhdimin e politikave të suksesshme, para së gjithash në politikën e zgjerimit të dëshmuar me dekada të tëra.

Zëvendëskryeministri Ademi theksoi se nuk duhet të harrohet politika e zgjerimit e cila ndoshta edhe duhet të jetë pjesë e zgjidhjes për këto sfida.

Në pikëpamje të situatës politike në vend, Zëvendëskryeministri Ademi nënvizoi se pa dyshim në drejtim të qetësimit të krizës politike në vend, hap pozitiv është arritja e marrëveshjes mes partive politike, por në këtë moment, i domethënies thelbësore është realizimi i plotë i marrëveshjes.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Ademi informoi më detajisht për hapat e planifikuar dhe të ndërmarrë gjatë ditëve të fundit. Ai po ashtu theksoi se edhe më tej mbetet rëndësia dhe përkushtimi në implementimit të Reformave Urgjente Prioritare përmes procesit inkluziv dhe transparent.

Nga pikëpamja e perspektivave evropiane të vendit dhe raportit vjetor i cili duhet të shpallet nga ana e Komisionit Evropian, zëvendëskryeministri Ademi theksoi se e një rëndësie tejet të veçantë është që i njëjti të reflektojë zhvillimin pozitiv drejtë zgjidhjes përfundimtare të krizës politike dhe ta kthejë kredibilitetin dhe besimin në proces, para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Zëvendëskryeministri Ademi, theksoi se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, dhe për alternativë tjetër as edhe nuk mendohet.
Duke pas parasysh rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal për integrim në BE, Ademi potencoi se avancimi dhe përforcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me vendet fqinje mbetet prioritet për vendin tonë, ndërsa bashkëpunimi rajonal, posaçërisht përmes Procesit të Berlinit, pritet të sjellë edhe rezultate konkrete siç janë nxitja e zhvillimit ekonomik dhe prosperitet të rajonit.

Zëvendëskryeministri Ademi theksoi se Maqedonia, e gjithashtu edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, duhet të jenë pjesë e hartës politike të Bashkimit Evropian, sepse integrimi i tyre është alternativë e vetme për sigurimin e stabilitetit dhe paqes në BE.

Në kuadër të takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së Zëvendëskryeministri Ademi realizoi takime pune me shefat e delegacioneve të Gjermanisë, Rajnhard Silberberg dhe të Austrisë Mihaell Linhard, në të cilat u bisedua perspektiva euroatlantike e Maqedonisë në fokus të ngjarjeve aktuale të Bashkimit Evropian.

Dy bashkëbiseduesit theksuan se e rëndësisë thelbësore në këtë moment është realizimi i plotë i dialogut politik, në ç’mënyrë do të krijohet një klime e volitshme për Maqedoninë para takimeve të dhjetorit të Këshillit të BE-së.

Në margjinat e takimi të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së, Zëvendëskryeministri Ademi realizoi edhe një sërë takimesh joformale me kolegët nga rajoni dhe nga vendet anëtare të BE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat