Grubi: Pastrimi i listës ishte kusht nga LSDM, Ferati: Fajtorë për listën janë PDSH dhe BDI

Maqedonia

Grubi: Pastrimi i listës ishte kusht nga LSDM, Ferati: Fajtorë për listën janë PDSH dhe BDI

Më: 22 gusht 2016 Në ora: 22:02
ilustrim

– Fundi i këtij muaji pritet që të sjellë dhe të zgjidhë dilma të mëdha të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit si dhe zgjidhjen e krizës politike e cila po stërgjatet gjithnjë e më shumë, njofton Zhurnal.

Vlerësimi i liderëve të partive më të mëdha politike në vend pritet të jetë pozitiv pasiqë dy pika kryesore ku janë pastrimi i listës zgjedhore dhe themelimi i Ad Hoc komisionit për monitorimin e raportimin e mediave gjatë 100 ditëve është në plotësim e siper, kështu vlerëson në një prononcim për Zhurnal deputeti i BDI-së e njëherit edhe negociatorë në krizën politike, z. Artan Grubi.

”Besoj që vlerësimi i liderëve të partive më të mëdha parlamentare në fund të gushtit do të jetë pozitiv me ç’rast do të konstatohet plotësimi i kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare më 11 dhjetor të këtij viti. Kriza në vend zgjidhet vetëm nëpërmjet të mbajtjes së zgjedhjeve gjithëpërfshirëse”, thekson më tej Grubi i cili vlerëson se dy pika kryesore pastrimi i listës zgjedhore dhe themelimi i komisionit për mbikqyrje të mediave gjatë 100 ditëve para zgjedhjeve janë në plotësim e sipër.

”Dy kushtet kyçe, pastrimi i listës zgjedhore dhe themelimi i Ad Hoc Komisionit për monitorimin e raportimit të mediave gjatë 100 ditëve para zgjedhjeve janë në plotësim e sipër dhe nuk pres komplikime”, thotë deputeti Artan Grubi i cili sqaron se 30 mijë votuesit e kontestuar padrejtësisht nga LSDM do kenë mundësi tjetër të vërtetojnë votën e tyre gjatë shqyrtimit publik të listës në vigjilje të zgjedhjeve.

“30.000 votuesit e kontestuar padrejtesisht vetëm nga ana e LSDM të cilët nuk aplikuan gjatë afatit 25 ditorë për të verifikuar të drejtën e tyre të votës, do të kenë edhe një mundësi shtesë që të rikthehen në listën zgjedhore gjatë shqyrtimit publik të regjistrit zgjedhorë në vigjilje të zgjedhjeve të parakohëshme”, përfundon kështu për Zhurnal, z. Artan Grubi.

Ndërkohë në anën tjetër nënkryetari i LR PDSH Agon Ferati se pastrimi i listës zgjedhore që në fillim ka pasur qasje të gabuar.

”Sa i takon pastrimit të listës zgjedhore LR-PDSH vlerëson se që në fillim qasja ishte e gabuar duke u rrezikuar të privohen nga e drejta e tyre e garantuar edhe me kushtetutë qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Kurse, nga ana tjetër duke u mbrojtur votuesit fiktiv si puna e atyre të Pustecit, që shërbejnë kryesisht për të dhunuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, gjë që u dëshmua edhe nga përgjimet e publikuara kohë më parë”, thekson mes tjerash Ferati i cili thotë se ky veprim është sulm i rëndë ndaj demokracisë së brishtë të vendit dhe diskriminim elektoral që bëhet ndaj shqiptarëve.

”Ne vlerësojmë se ky veprim është një sulm tepër i rëndë ndaj
demokracisë edhe ashtu të brishtë të këtij vendi dhe se ky është një diskriminim elektoral që u bëhet drejtpërdrejtë shqiptarëve. Sigurisht se për këtë përgjegjësia direkte bie mbi BDI-në dhe PDSH-në, sepse ata keqpërdorën mandatin e shqiptarëve gjatë bisedimeve të Përzhinës”, thotë Ferati i cili gjithashtu komenton edhe mbi 30 mijë votuesit fiktiv për të cilët LR PDSH kishte ngritur edhe një iniciativë në gjykatën Kushtetuese.

”Ndërsa, marrja e të drejtës së votës së 30.000 shqiptarëve, është krimi numër 2. Ne si LR-PDSH u angazhuam maksimalisht për tu dalë në ndihmë qytetarëve në procesin e riregjistrimit mirpo fatkeqësisht arritëm në përfundim se i gjithë ky proces ishte i ideuar për të dështuar, prandaj ne edhe ngritëm një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për të parandaluar atë që nuk arritën ta bëjnë përfaqësuesit shqiptarë në bisedime. Ndërkaq sa i përket pyetjes së fundit, ne do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mëpas do të zhvillojmë debat brenda organeve të partisë”, përfundon kështu bisedën për Zhurnal nënkryetari i LR PDSH Agon Ferati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat